“Të shmangim luftën me çdo kusht”/ Rama: Konfliktet e vogla në Ballkan mjaftojnë për luftra

schedule09:28 - 26 Shtator, 2023

schedule 09:28 - 26 Shtator, 2023

Ngjarja e rëndë e ditëve të fundit në veri të Kosovës ka riaktivizuar vatrën e konfliktit në rajonin tonë, duke bërë që marrëdhëniet me Serbinë të përkeqësohen.

Në këtë klime të re të tensionuar, Albin Kurti dhe Aleksandër Vucic kanë mbi tryezë ftesën për tu ulur së bashku në Tiranë, në tryezën e Procesit të Berlinit, ku do të marrin pjesë liderët e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor.

Nuk ka ende sinjale që ngjarja e papritur do të sjellë mungesën e ndonjë prej krerëve të dy shteteve, por Edi Rama, në ministerialin përgatitor të ekonomisë bëri thirrje për shmangien e konflikteve.

sot që lufta është në dyert tona, në Ukrainë, është thelbësore që ne të mos e shohim luftën si një videogame, si një lojë, por si një katastrofë, të cilën duhet ta shmangim me çdo mjet kudo, në çdo lloj forme ajo të marrë edhe përmes konflikteve më të vogla që nga historia e rajonit tonë e dimë që mjaftojnë për të ndezur më pas, jo vetëm një luftë ballkanike, por edhe një luftë europiane, madje botërore.

Shefi i qeverisë shqiptare kujtoi se si këto 5 vite dialog rajonal kanë ndryshuar situatën në Ballkan.

Mund të mos biem dakord për një sërë gjërash në këtë rajon, mund ende të kemi çështje të rëndësishme ende të pambyllura në këtë rajon por përmes këtij procesi të gjithë kemi mësuar që e vetmja mënyrë për tu marrë edhe me mosmarrëveshjet tona është të përpiqemi të biem sa më shumë dakord dhe të bëjmë sa më shumë për atë çka mund të bëjmë së bashku dhe sa më shumë kemi bërë gjëra së bashku aq më shumë kemi parë përfitime dhe çka është më e rëndësishme, gjithmonë e më tepër kemi parë sesa e rëndësishme është që të trajtohen çështjet tona të pambyllura.

Kryeministri Rama është entuziast për paketën e re të ndihmës financiare që BE do t’i japë rajonit për të nxitur një rritje ekonomike.

Më duhet të them që është tanimë koha për të ecur së bashku përpara dhe për t’u siguruar që nga fjalët mjaft premtuese, ne të nisim të shohim vepra premtuese.

Sipas të dhënave të qeverisë, në 5 vitet e fundit, falë nismave bashkëpunuese si Procesi i Berlinit apo Ballkani i hapur, kanë përfituar nga lehtësitë 6 mijë shoqëri tregtare në Ballkanin Perëndimor. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!