Rama në Marok, flet për marrëdhënien e re me Serbinë

schedule16:23 - 3 Nëntor, 2017

schedule 16:23 - 3 Nëntor, 2017

Kryeministri Rama mori pjesë në edicionin e 10-të të Konferencës së Politikave Botërore, të zhvilluar në Marok. Ai ishte i ftuar në një panel diskutimi, së bashku me homologen serbe, Ana Brnabiç, ku foli në lidhje me rajonin dhe Europën si dhe marrëdhëniet e reja mes Shqipërisë e Serbisë. Rama përsëriti gjithashtu thirjen e tij drejtuar Beogradit, për njohjen e Kosovës.

Me në krah homologen serbe, Ana Brnabiç, Kryeministri Rama foli për marrëdhenien e re mes Tiranës dhe Beogradit, gjatë Konferencës së Politikave Botërore që u zhvillua në Marok. Fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi i ndërsjellë, duhet të jetë të jetë zgjedhja e një qeverisjeje të mirë, theksoi Rama.

“Ajo që unë shoh si një pasqyrim shumë pozitiv të kësaj, është sesa shumë gjërat po ndryshojnë përsa i përket popullsisë. Është një mënyrë e re e të jetuarit në Ballkan, një mënyrë që është rrënjësisht e shkëputur nga kultura sesi jetonim në të kaluarën.”

Rama përsëriti në prezencë të kryeministres serbe, se njohja e pavarësisë së Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit rajonal, do të ishte një hap i madh përpara që do të lehtësonte Serbinë nga barra e së kaluarës.

“Kosova është sot një Republikë. Është aty dhe funksionon si një shtet i pavarur, sovran, me institucionet e tij, dhe jam shumë i lumtur ta them, me një model shumë të admirueshëm respekti për minoritetet, para së gjithash për minoritetin serb, i cili ka përfaqësi në parlament, në qeveri. Bindja ime është, ka qenë gjithmonë dhe mbetet që, duke njohur Kosovën, Serbia do të bëjë një hap të madh përpara dhe do të lehtësohet nga një barrë e së kaluarës, e cila është pengesë për të parë drejt së ardhmes më e lehtësuar.”

Në lidhje me perspektivën e zgjerimit të Bashkimit Europian, Kryeministri theksoi se procesi i nisur me zgjerimin e Unionit, tashmë duhet kompletuar.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për zgjerim, por për përfundimin e këtij procesi. Mbi të gjitha, qëndron nevoja strategjike e Europës për të mos lënë Ballkanin si një zonë gri, ku aktorë të tjerë mund të fusin duart dhe të promovojnë axhendat e tyre, duke nxitur konflikte të mundshme.”
“Është shumë e rëndësishme të përfundojmë këtë projekt, ekzaktësisht për të njëjtën arsye që anti-europianët theksojnë, ekzaktësisht për arsyen e sigurisë.”

Ballkani – sipas Ramës, është rajoni ku Europa duhet të kuptojë se sa tërheqëse është për njerëz që e dinë se çfarë është lufta./abcnews.al