Rama në Londër: Reforma në drejtësi, garanci për investitorët e huaj

schedule16:45 - 18 Qershor, 2019

schedule 16:45 - 18 Qershor, 2019

Reforma në drejtësi do të jetë një garanci për investitorët e huaj. Me këtë kartë, Edi Rama synoi në një forum ekonomik në Londër, të bindë biznesmenë të huaj të sjellin paratë e tyre në Shqipëri.

Kryeministri Rama ishte në Londër ku mori pjesë në forumin ekonomik mbi Ballkanin Perëndimor të organizuar nga Financial Times.

Kreu i qeverisë shqiptare përmendi reformën në drejtësi si një nga garancitë kryesore të vendit tonë për investitorët e huaj.

“Po përjetojmë reforma të rëndësishme brenda rajonit, kemi shifra me peshë që tregojnë ndryshimet që po ndodhin. Patjetër është e qartë që nuk mjaftojnë. Në Shqipëri po punojmë fort që të reformojmë sistemin e drejtësisë, në mënyrë që vendi të ketë një pozitë më të fortë për t’i ofruar jo vetëm qytetarëve tanë, por edhe investitorëve, garancitë maksimale, si dhe produktivitetin maksimal në investimet e tyre”.

Edi Rama ju kthye sërish tezës së tij për krijimin e një zone Shengen mes vendeve të Ballkanit, njëkohësisht me krijimin e një tregu të përbashkët.

“Unë mendoj që potenciali ynë qëndron te bashkëpunimi dhe ndërveprimi rajonal dhe jam shumë i bindur që, nëse tregohemi të zgjuar e të vendosur në forcimin e bashkëpunimit tonë rajonal dhe nëse hapim një kapitull të ri, thjesht duke e shndërruar këtë historinë dhe politikën obsesive të kufijve në një qasje të re dhe duke krijuar një zonë të re Shengen brenda Ballkanit Perëndimor e duke i transformuar kufijtë nga arsye për grindje e politika të ndezura në pika fluide takimi, pa dyshim do jemi më të hapur ndaj mundësive më të mëdha dhe do mund të eksplorojmë një pjesë të vlefshme të potencialit tonë të paprekur”.

Duke ju kujtuar shprehjet e Kanunit se shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e zotit, Rama ftoi investirorët të vijnë në Shqipëri./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!