Kryeministri Edi Rama i ftuar ditën e sotme në ABC –ja e mëngjesit me gazetarin Enkel Demi foli edhe për lëvizjen e lirë që ka zhvilluar ai vetë por edhe presidenti Ilir Meta.
Kjo nga fakti se kryeministri në fundjavën e kaluar ka qenë në Vlorë, ndërsa Presidenti ka postuar në rrjetet sociale foto gjatë vizitës në vendlindjen e tij.
Gjatë bisedës me gazetarin Demi, Rama tha se për shkak të detyrës specifike që ka ai vetë, dhe presidenti, i lejohet të lëvizë edhe jashtë fashave orare, ndërsa kërkoi që të mos flitej për këtë fakt, por për tema më interesante për qytetarët.
Përballë kësaj kërkese për të ndryshuar bisedën, gazetari Enkel Demi tha se Rama nuk ishte redaktor i medias, por Kryeministri i Shqipërisë.
Biseda:
Enkel Demi: Ju jeni kryeministër i Shqipërisë, jo redaktor i medias…
Edi Rama: Unë jam absolutisht jo redaktor i medias, por për sa kohë më keni përballë nuk mund të thoni çfarë të doni.
Enkel Demi: Presidenti i Republikës nuk ka respektuar rregullin e karantinës, në fundjavë. Ju vetë keni qenë në Vlorë, nuk e keni respektuar rregullin e katrantinës.
Edi Rama: Kjo është e pavërtetë. Që në ditën 1 të gjithë personat që kanë një punë të përcaktuar mund të lëvizin. Unë dhe Presidenti i Republikës kemi një detyrë specifike që na lejohet të lëvizim edhe jashtë fashave orare të lëvizjes.
Enkel Demi: Të bësh Hiking nuk është punë…
Edi Rama: Për presidentin është punë, do flasim për gjëra që i interesojnë publikut?
Enkel Demi: Kush e përcakton gjërat që i interesojnë publikut? E përcaktoni ju apo ne të medias, sepse kjo mund të jetë një pyetje e ardhur nga publiku.
I pyetur nëse ka gjasa që karantina të zgjasë deri në vigjilje të zgjedhjeve të ardhshme, Rama u shpreh ne nuk do të ketë një normalitet si ai para vitit 2019 deri në krijimin e një vaksinë./abcnews.al