Rama: Meta, armik i hapur i Kushtetutës

schedule17:50 - 8 Korrik, 2019

schedule 17:50 - 8 Korrik, 2019

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Presidenti i Republikës, Ilir Meta është armik i Kushtetutës së Shqipërisë. Gjatë fjalës së tij në seancën e posaçme parlamentare, ku pritet të votohet për ngritjen ose jo të komisionit hetimor që do të hetojë shkeljet e pretenduara të kushtetutës nga ana e Presidentit Meta, kreu i qeverisë tha se mazhoranca e ka detyrim të ndalojë kryetarin e shtetit që të gabojë më tej sepse dinjiteti i këtij shteti është shumë i rëndësishëm për ta.

“Në kushtet kur 30 Qershori tanimë i ka mbijetuar agresionit më të egër dhe më të turpshëm antidemokratik që politika e 30 viteve të fundit ka ndërmarr3ë ndonjëherë kundër interesit publik, lirisë së zgjedhjeve dhe të drejtës së zgjedhjeve si dhe interesit kombëtar të integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane, Ilir Meta siç e thashë në fillim do ishte politikisht për ne një kundërshtar që s’duhet ndaluar të gabojë më tutje. Ashtu i dezekuilibruar prej frikës nga drejtësi, i çoroditur prej disfatës antikombëtare që bashkëudhëhoqi me tre kalorësit e tjerë të apokalipsit imagjinar, hakërryes dhe qesharak njëkohësisht në pafuqinë e tij ai është sot një aset i vyer politik i kësaj shumice qeverisëse.

Mirëpo ne jemi të ndaluar ta përdorim kryetarin e shtetit si një gogozhel për të trembur zgjedhësit e pakënaqur ndaj nesh dhe jemi të detyruar ta ndalojmë Ilir Metën të gabojë më tej sepse për ne dinjiteti i këtij shteti është më i rëndësishëm sesa çdo interes partiak apo kalkulim elektoral. Ilir Meta duhet hetuar dhe ndëshkuar deri në fund nga ky Kuvend dhe reagimi ynë si deputetë të tij duhet të jetë frontal. Në këtë pikë graviteti i parimeve themelore të Kuvendit të popullit është një emërues që duhet të na bashkojë natyrshëm në vendim dhe në veprim, pavarësisht interesit politik që na ndan. Ilir Meta nuk është më kundërshtari i qeverisë, ai sot është armiku i hapur i vetë kushtetutës së Shqipërisë. Nuk është më thjeshtë frymëzuesi i ofensive destruktive të zgjedhjeve të drejtësisë, por është armiku i deklaruar i vetë parlamentit të Shqipërisë, nuk është më thjeshtë politikani i frikësuar deri në palcë nga reforma në drejtësi, ai sot është vetë shëmbëlltyra e tërbimit të të tremburve nga drejtësia, i cili edhe me shtrirjen e rrezes së agresionit të tij mbi miqtë dhe partnerëve amerikanë dhe europianë na turpëron të gjithëve ne këtu si deputetë edhe ty si qytetarë, si popull, si shtet.

Si mund të ketë Shqipëria e sotme, Shqipëria në NATO, një aktor shteti që duket si një aktor komik që duket se imiton Presidentin e Republikës. Kjo pyetje nuk çon askund, madje mund të çojë në drejtim të gabuar. Sëmundja e vërtetë e këtij kreu shteti është ajo e tij personazhit të dostojevskit i cili gënjen veten për të gënjyer të tjerët”, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!