Kryeministri Rama insiston se propozimi i Gent Cakaj për Ministër të Jashtëm është zgjedhja e duhur, pavarësisht rrëzimit që i bëri presidenti Meta. Shefi i qeverisë mbrojti propozimin e vet, para trupit diplomatik në pritjen tradicionale të fundvitit, duke ftuar ambasadorët të njihen personalisht me Cakajn dhe ministrat e rinj të dekretuar tashmë.
Ceremoninë tradicionale të pritjes së fundvitit me trupin diplomatik e mbajti më 10 Janar, për shkak se funddhjetori e sfidoi me protestën e studentëve, e me riformatimin e më shumë se gjysmës së qeverisë. Por takimi me trupin diplomatik ishate pa Ministër të ri të Jashtëm, pasi i propozuari prej tij, Gent Cakaj, u rrëzua nga kreu i shtetit. Rama kishte një shigjetim për Ilir Metën.
“Faktikisht, në kthim të pushimeve festive, ju gjetët këtu një qeveri të re, por gjetët të njëjtën Shqipëri, si shembull avazi tanimë i vjetër i Presidentit tonë të Republikës, i cili përsëri refuzoi të dekretojë një ministër, por, duke qenë se këtë radhë bëhet fjalë për ministrin e ri për Europën dhe Punët e Jashtme, s’mund ta anashkaloja këtë fakt në këtë fjalë, sonte”.
Vendosmërinë se ka bërë zgjedhjen e duhur me propozimin e një shqiptari nga Kosova si shef të diplomacisë shqiptare, ia përsëriti trupit diplomatik, duke i bërë një paraqitje të cilësive të 28-vjeçarit.
“E kanë sulmuar dhe shkelur dinjitetin e tij për të paktën 3 arsye: Sepse është shumë i ri, domethënë, nuk i përket botës së tyre të vjetër; Sepse është shumë i pastër, domethënë, nuk mund të akuzohet për asgjë; Sepse është nga Prishtina, domethënë, që një shqiptar nga Kosova nuk mund të marrë një detyrë kaq të lartë, por, ama, si kosovar mund të përdoret si mish për top nga të gjithë ata që haptazi, ose nën rrogoz i janë kundërvënë egërsisht, me vandalizëm verbal, dialogut Kosovë-Serbi. Por unë nuk e kam zgjedhur Gent Cakën as si kosovar, as si i ri, por si një shqiptar europian, pasionant për dijen, për politikën dhe për atdheun tonë të përbashkët, i cili prej kohësh tanimë punon me mua, shtetas i Republikës së Shqipërisë, fillimisht si këshilltar dhe më pas si zëvendësministër, që në Ministrinë e Europës dhe Punëve të Jashtme ka mbuluar integrimin. Ai kurrë nuk ka shprehur asgjë që bie ndesh me politikën tonë të jashtme. Kush e thotë këtë, ose është një keqdashës, ose është një keqlexues, ose të dyja bashkë, ose edhe më keq akoma”.
Shqipëria merr vitin e ardhshëm kryesimin e OSBE-së, një arritje historike, të cilën e nënvizoi ministri në detyrë Ditmir Bushati, ndërsa kryeministri, në paraqitjen e objektivave të diplomacisë shqiptare për 2019-n, nënvizoi të parën hapjen e kufijve me vendet e rajonit sipas modelit Schengen.
“Në pranverë do të hapim kufirin me Kosovën, por dëshiroj që askush të mos e deformojë qëllimin dhe përmbajtjen e këtij akti, duke e ricikluar përsëri në atë vazhdën e mbetjeve të nacional-folklorizmit të të shkuarës. Ne duam të bëjmë të njëjtën gjë me Maqedoninë. Unë e kam shtruar këtë me Kryeministrin Zaev dhe ne jemi gati që të fillojmë punën me Maqedoninë, për të bërë ekzaktësisht të njëjtën gjë, një kufi fluid, sipas modelit Shengen. Të njëjtën gjë duam të bëjmë edhe me Malin e Zi dhe të njëjtën gjë do dëshironim të kishim në të gjithë zonën europiane të Ballkanit Perëndimor, ku na mungon B-ja, ajo që është Bashkimi, por kemi E-në, jemi europianë si ju dhe kemi të drejtën që të lëvizim të paktën mes nesh, siç lëvizni ju mes jush, derisa të bashkohemi bashkë të dy në lëvizje e sipër”.
Padyshim objektivi kryesor mbetet hapja e negociatave të antarësimit
“Shpresojmë që bashkë me zgjedhjet europiane të mbarojë edhe kushtëzimi i çeljes së negociatave të Shqipërisë, me problemet e brendshme të vendeve të BE-së”.
U tërhoqi vëmendjen përfaqësuesve diplomatikë të vendeve të BE mbi përgjegjësinë për lënien jashtë lëvizjes së lirë të Kosovës dhe përsëriti se partnerët strategjikë të shqipërisë mbeten në trekëndëshin Itali, Greqi, Turqi./abcnews.al