Rama me drejtuesit e ALUIZNI-t: Kush zvarrit procedurat, para drejtësisë

schedule10:35 - 18 Janar, 2018

schedule 10:35 - 18 Janar, 2018

Kryeministri Rama ka deklaruar sot se zyrtarët e ALUIZN-it dhe Hipotekave që zvarrisin procedurat e qytetarëve, do përballen me drejtësinë. Në takimin me drejtuesit e sapozgjedhur të këtyre institucioneve në gjithë vendin, shefi i qeverisë tha se secili prej tyre duhet të mbajë përgjegjësi për cdo ankesë të qytetarëve.

Drejtuesit e rinj të Hipotekave nisën punën gjashtë muaj pas dorëheqjes në bllok, por ata janë sërish në provë.

“Provën nuk e keni me ndonjë parti, nuk e keni as me qeverinë, por e keni me popullin shqiptar dhe me publikun e me qytetarët që vijnë në dyert e hipotekave.

Është e papranueshme që kërkesa të mbajtura tre vjet, katër apo pesë vjet nëpër sirtarë të zgjidhen për tre ditë, kur ndërhyn drejtpërdrejtë ministrja e Drejtësisë, në bazë të kërkesës së qytetarit, që do të thotë se është mbajtur abuzivisht, arbitrarisht dhe për këtë i është krijuar një kosto shumë e madhe morale, psikologjike, financiare, ekonomike, familjare, qytetarit. Ndërkohë që për këtë kosto ka përgjegjës direkt e këta janë individët që kanë përsipër dosjen. Për këta individë ka vetëm një metodë, çuarja përpara drejtësisë. Atje në radhë, tek dera e prokurorisë të përgjigjen, pse nuk kanë bërë detyrën dhe ping-pongu me ALUIZNI-n, duhet të marrë fund”.

Paralajmërimin Kryeministri Edi Rama ja dha në një takim në Ministrinë e Drejtësisë ku i mblodhi sëbashku me drejtuesit e rinj të Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale, një pjesë e të cilëve rikonfirmohen në këtë detyrë.

Drejtuesve të Hipotekave iu kërkoi të mos vënë në diskutim dokumentacionin e drejtuesve të ALUIZN-it e për këtë shefi i qeverisë dha një arsye.

“Harta e ALUIZNI-t është e aktualizuar dhe në momentin kur ALUIZNI thotë legalizohet, ke vetëm një detyrë, ta hipotekosh e jo ta mbash aty peng e ta mbash aty qytetarin, sikur është top ping-pongu. Kjo duhet të jetë shumë e qartë. Çdo kthim mbrapa i dosjes së certifikuar e të vulosur nga ALUIZNI, do të jetë letër dorëheqjeje e drejtorit të hipotekës; Kështu do të konsiderohet. Në momentin që ke pranuar që një dosje e tillë, në vend se t’i kthehet në hipotekë qytetarit, shkon prapë te ALUIZNI, kjo konsiderohet teksti yt i dorëheqjes”.

Kjo do të ndodhë deri në qershor kur ALUIZN-i dhe Hipoteka pritet të shkrihen në Agjencinë Kombëtare të Titujve të Pronësisë.

Bashkimi i këtyre dy institucioneve dhe shërbim i unifikuar për qytetarët, për t’i dhënë fund njëherë e mirë atij ping-pongut të tmerrshëm, ALUZINI ta jep, hipoteka nuk ta njeh dhe ecejakeve pa mbarim të qytetarëve, sepse hipotekat preferojnë t’i bien shkurt. Në këtë aspekt, kjo është dhe sfida brenda sfidës e të gjithë drejtuesve të hipotekave.

Vonesën në emërimin e drejtuesve të rinj kryeministri e arsyetoi me përzgjedhjen e më të mirëve. Rama refuzoi pretendimet për ndërhyrje në konkurse, ndërkohë që atyre që akuzojne se ka emëruar kontributore të PS në fushatë, i tha se nga këto procese nuk përjashtohen socialistët./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!