Rama mbledh shtabin elektoral në Durrës, Arben Ahmetaj dhe Ardian Çela “shtyllat” e fushatës së tij

schedule15:32 - 11 Shtator, 2020

schedule 15:32 - 11 Shtator, 2020

Nga Esiona Konomi

Edi Rama ka nisur punën me bazën e partisë në qarkun Durrës, pasi largoi nga drejtimi i partisë Vangjush Dakon.

Kryetari i Partisë Socialiste ka thirrur mbledhjen e shtabit të këtij qarku të mërkurën në mbrëmje, por, në mungesë të Dakos, ka qetësuar rrymat politike në zonën bregdetare, duke i dhënë besim bashkëpunëtorit të ngushtë të ish-kryetarit të bashkisë.

Kështu, Rama ka caktuar si koodinator elektoral, apo drejtues fushate në Durrës Ardian Çelën, drejtuesin e OSHEE-së, i afërt i Dakos, që nga koha kur punonte si nënkryetar bashkitë në këtë qytet.

Por teksa është kujdesur të përkëdhelë egon e Dakos, Rama është shfaqur në mbledhje përkrah ministrit për rindërtim, Arben Ahmetaj.

Kryeministri ka nënvizuar vëmendjen e drejtpërdrejtë të Ahmetajt në mënyrë specifike për Durrësin, për të shkëlqyer në procesin e rindërtimit.

Por pjesëmarrës në mbledhjen socialiste, i thanë ABC News se tonet e mbledhjes nënkuptonin se Ahmetaj do të kandidojë si deputet në këtë qark.

Ahmetaj më herët ka qenë deputyet përgjegjës për Kavajën e Rrogozhinën, ku tashmë, PS ka angazhuar Elisa Spiropalin.

Pyetjeve nëse vetë kryeministri do të kandidojë në Durrës, ose jo, mësohet që Rama ju është përgjigjur me këtë batutë: “Duhet të më mbani mirë që të vij”./abcnews.al