Kryeministri Edi Rama ka dalë hapur në mbështetje të protestës që do të mbahet më 17 tetor në Tiranë në solidaritet me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me drejtësinë ndërkombëtare në Hagë. Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka inkurajuar qytetarët shqiptarë nga të gjitha trevat dhe diaspora që të marrin pjesë në protestën që kërkon drejtësi për çlirimtarët e Kosovës.
Mbështetje kësaj proteste i ka dhënë edhe analisti Skënder Minxhozi, i cili në emisionin “Real Story” në ABC News e ka cilësuar këtë reagim qytetar si aktin më patriotik të momentit, duke kritikuar ashpër procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
“Nuk ka gjë më patriotike dhe më të bukur se sa sot t’i kundërvihesh procesit gjyqësor ndaj krerëve të UÇK, jemi përballë një procesi gjyqësor, që vetëm gjyqësor nuk quhet. Duhet që harta e të dënuarve në atë që quhet hapësira ish-Jugosllave, ndaj Serbisë kanë toleruar dhe kanë toleruar shumë. Serbia ju e shikoni që një këmbë e mban në Rusi, një në Kinë, SHBA e Evropë.
Ka një politikë të jashtme që e quajnë “me katër shtylla”. Pjesë e këtij frustimi është ata zotërinj janë brenda atij procesi, ku është një “Shtëpi e Verdhë”. Kanë krijuar një fabul që nuk ekziston. Nuk ka gjë më patriotike se sa të protestohet ndaj atyre. Populli i Kosovës nuk e meriton atë damkë. Nuk ka asnjë lloj mënyre që duke dënuar ata të mos baltosësh vendin që e ka drejtuar”, tha Skënder Minxhozi.

