“1.2 mld euro”, Rama shigjeton Lelin: Ne rrisim investimet, ju rrisni humbjet, “kampione” Bashkia e Vlorës

schedule12:48 - 29 Tetor, 2021

schedule 12:48 - 29 Tetor, 2021

Kryeministri Edi Rama deklaroi në mbledhjen me kryebashkiakët për analizën e performancës së Ujesjellësve, se kampione për shpërdorimin e fondeve dhe keqmenaxhim është bashkia e Vlorës, duke shigjetuar kështu kryetarin Dritan Leli. Rama u shpreh se bashkia e Vlorës ka regjistruar 78.9% humbje në këtë sektor, shifra më e madhe në radhët e bashkive të tjera. Ai tha se teksa qeveria rrit investimet, bashkitë rrisin humbjet në këtë sektor.

“Në rreshtin mes nesh janë ata që e kanë shoqëruar këtë proces investimesh në ujësjellës. Këtu kam një tabelë për investimet e bëra nga qeveria shqiptare nga viti 2014 dhe të vendosura aktualisht deri në vitin 2013 ku hyjnë fondet e buxhetit të shtetit dhe fondet e akorduara nga partnerët të cilat ju kujtoj që janë kredi që duhen paguar. Shuma që këto dy detyrime që qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion është mbi 1 mld euro. Që të jemi të saktë, mbi është faktikisht 1 mld e afro 200 mln euro. Këtu kam tre pyetje për ju si kryetarë bashkish.

A jeni në dijeni të performancës së ujësjellës kanalizimeve në bashkinë tuaj të shërbimit që ofrojnë për qytetarët. E keni parë ndonjëherë që është përtej çdo logjike. Dhe pyetja e tretë, sa fonde keni alokuar nga buxheti i bashkisë për furnizimin me ujë. Faktit flasin vetë dhe fakti i fundit që ishte si pika që ka përmbysur këtë kupë është fakti që ne rrisim investimet, ju rrisni humbjet dhe pastaj qytetarët me të drejtë ankohen.

Rritja e investimeve nuk mund të përkthehet në rritje të humbjeve. Duhet të përputhet me një ulje të humbjeve dhe sens përgjegjësie për atë gropë që i është hapur mu në zemër këtij shteti nga keqadministrimi i ujit për 30 vite që nuk mbyllet dot menjëherë por në nivelin e administrimit nuk po jep shenja që nuk ka tendencë të zgjerohet. Kam listën këtu dhe nuk po hyj t’i marr me radhë. Kampioni bashkia e Vlorës, 78.9% humbje. Si një lapidar abuzimi me faktin që uji është jetik dhe nuk është një mall që mund të trajtohet si çdo tjetër. Si mund të vazhdojë kështu kjo histori? Si mundet që këta drejtorë ujësjellësish të jenë akoma në punë dhe numri i të punësuarve është sa një armatë”, tha Rama. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!