Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër nivelin e diplomacisë ekonomike shqiptare, gjatë Konferencës 3-ditore të Ambasadorëve Shqiptarë nëpër botë.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se pavarësisht përpjekjeve të herëpashershme dhe edhe një konference të dedikuar për këtë temë, roli i përfaqësive diplomatike jashtë vendit në tërheqjen e investimeve dhe lidhjen me botën ekonomike mbetet i dobët dhe shpesh i papërfillshëm.
Ai theksoi se ky do të jetë një nga prioritetet kryesore në vijim, duke i kërkuar ambasadorëve më shumë angazhim dhe rezultate konkrete në këtë drejtim.
“Thënë të gjitha këto një element kyç që për hir të vërtetës mbetet hallka më e dobët e punës së shërbimit tonë diplomatik është diplomacia ekonomike, ku roli i përfaqësive tona është i dobët dhe ku përjashto raste shumë specifike dhe shumë të veçanta që lidhen me natyrën dhe vullnetin e ndonjë ambasadori, kontributi është thuajse inekzistent.
Kemi bërë disa herë përpjekje për të shtyrë në këtë drejtim, është bërë edhe një konferencë e dedikuar për aktivizimin e përfaqësive tona diplomatike në funksion të diplomacisë ekonomike, por rezultatet lënë shumë për të dëshiruar. Ndërkohë që ky aspekt do të jetë një aspekt prioritar i përfaqësive tonë diplomatik dhe që t’i themi gjërat ashtu siç janë duke pas parasysh se përsa i përket politikës së jashtme, qeveria këtu në Tiranë jua ka lehtësuar punën jashtëzakonisht dhe ndryshe nga si ndodhte më parë, kur kancelaritë kryesore europiane ishin të paarritshme nga Tirana dhe ishin krejtësisht të largëta për përfaqësitë tona, sot kancelaritë më të rëndësishme europiane janë vetëm një telefon larg nga Tirana, ndërkohë që puna e shërbimit diplomatik në vendet europiane duhet të jetë e fokusuar tek rritja e intensitetit të lidhjeve me botën ekonomike, e cila nuk ka nevojë ta zgjasim kur them se është tejet e zhvilluar në Europë dhe ku duke shfrytëzuar impaktin e imazhit të ri ndërkombëtar të Shqipërisë mund të tërheqim shumë më tepër dhe mund të bëjmë shumë më tepër së bashku, por ama në këtë rast flas për nxitjen që duhet të vijë nga jugu”, tha kryeministri Rama./abcnews.al

