Teksa paralelisht po merrej në pyetje Ilir Meta, në sallën ngjitur në Kryesinë e Kuvendit, Edi Rama mblodhi grupin e tij parlamentar, ku me tonë të ashpra, ju tha deputetëve se nëse nuk transformohet, Partia Socialiste do të humbasë pushtetin.
Mbledhja e grupit parlamentar socialist, e para e kësaj vjeshte, e ka gjetur të shqetësuar kryeministrin Rama. Ai ju ka folur deputetëve me tone të ashpra, mbi zgjedhjet në parti, duke kërkuar një proces të vërtetë.
“Procesi i zgjedhjeve në parti duhet të jetë ndryshe nga herët e tjera. Duhen takime të vërteta në cdo organizatë. Kush nga ju nuk e bën dot, më mirë le të dorëhiqet nga grupi parlamentar. Deputetë që nuk e dinë ku e kanë zonën e tyre dhe që nuk dinë çfarë kërkesash kanë njerëzit atje, nuk mund të tolerohen. Jua them copë: duhet t’i ktheni PS-së atë që i keni marrë. Secili të bëjë detyrën dhe asgjë më shumë”.
Sic pohojnë burimet e ABC News nga mbledhja e mbyllur, si rrallë herë, kryesocialisti ju ka folur të vetëve për rrezikun e humbjes së pushtetit.
“Partia Socialiste nuk mund të qëndrojë në pushtet duke ngrënë nga dhjami i vetë. Në zgjedhje nuk mund të përsërisim të njëjtat gjëra, ndryshe do të humbim. Forma e vetme që ta shmangim këtë është që të transformojmë partinë. Nuk dua të bëhen më takime me të njëtat fytyra. Duhet të marrin fund pazaret e dallaveret”.
Shqetësimi tjetër, veç gjendjes së strukturave të partisë, mësohet të ketë qenë cilësia e administratës.
“As unë e as Partia Socialiste nuk mund ta mbajë mbi shpatulla këtë maskaradë dhe këto zullume që ndodhin në zyrat e shtetit. Ju s’keni ngritur asnjë shqetësim se si funksionojnë këto zyra dhe ankesat që kanë njerëzit. Ju interesoheni vetëm për emërimet e drejtorëve. Nuk mban më kjo punë. Do të humbim pushtetin, nëse vazhdojmë kështu. Unë nuk do të pres fundin”.
Këto porosi vijnë teksa PS ka hyrë në një proces zgjedhor që deri në janar, do të rifreskojë të gjitha forumet përmes zgjedhjeve, përjashtuar karringen e kryetarit të partisë, që nuk do t’i nënshtrohet votimit./ABC News Albania 24/7