Rama: Korrupsioni në nivele të larta, drejtues bashkëpunuan me trafikantë

schedule14:43 - 13 Janar, 2018

schedule 14:43 - 13 Janar, 2018

Kryeministri Rama pohoi gjatë një aktiviteti në Lezhë me rastin e 105 vjetorit të Policisë, se uniformat blu nuk kanë qenë të imunizuara nga korrupsioni deri në nivele të larta. Ai pranoi gjithashtu se ka pasur drejtues policie të përfshirë në veprimtari kriminale në bashkëpunim me trafikantë. Për këto arsye, vettingu në Polici, sipas Ramës, është po aq i rëndësishëm sa ai në drejtësi.

Bilancin e 4 viteve të fundit në çështjet e rendit, e nisi nga sukseset, duke përdorur atë që e quan “gjuha e thatë e rezultateve”. Nxjerrja e Shqipërisë në vitin 2017 nga harta e vendeve kultivuese dhe trafikuese të lëndëve narkotike, sipas Edi Ramës, mbylli një plagë të vjetër. Kryeministri nuk harroi as rekordin minimal të vrasjeve në 27 vitet e fundit.

Në 105 vjetorin e Policisë së Shtetit, Kryeministri pranoi se gjuha e rezultateve nuk mund të fshehë problemet.

Pastrimi i policisë nuk përfundon me shkarkimet dhe lëvizjet në rradhët e saj, nënvizoi Rama, teksa shpjegoi përse e quan vettingun e uniformave blu po aq të rëndësishëm sa ai në drejtësi.

Përveç punës së uniformave blu, komentoi edhe atë të Qeverisë, duke pranuar se jo gjithcka ka funksionuar.

Në 105 vjetorin e Policisë, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, tregoi çfarë duhet të mësojë politika nga historia, në marrëdhënien e saj me policinë.

Për këtë, Xhafaj bëri thirrje që të ndalet dhuna verbale ndaj policisë së shtetit nga kush synon ta tregojë atë si një organizatë të inkriminuar./abcnews.al