Rama: Ish-ministri i Ekonomisë i kërkoi Bashës privatizimin e Teatrit të Metropolit

schedule12:27 - 20 Shtator, 2018

schedule 12:27 - 20 Shtator, 2018

Debatit politik për teatrin e ri, Kryeministri Rama zgjodhi t’i përgjigjet me publikimin e një korrespondence të fundit të mandatit qeverisës të PD-së në vitin 2013 mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Ekonomisë, ku kërkohej privatizimi i Teatrit Metropol. Sipas Ramës, ndryshe nga dje ku kërkohej të prishej teatër për të ndërtuar pallat, sot qëllimi është të ndërtohet një godinë e re.

“Ajo që më nxorri këtu është një shkresë të cilën Florian Mima, ministër i Ekonomisë ia dërgon Lulzim Bashës, kryetar i Bashkisë. Dhe çfarë i kërkon? I kërkon privatizimin e Teatrit të Metropolit, në kllapa shënon Floriani Teatri i Estradës, për llogari të deputetit Astrit Veliaj. I vetmi aset kombëtar në dispozicion të Bashkisë së Tiranës, i transformuar nga një kafene e degraduar në një teatër të metropoli përpara se sa Lulzim Basha të shkonte në bashki çohet për privatizim jo për Partenitet Publik-Privat as për të ndërtuar një Teatër të ri të Metropolit në këmbim të kontributit të zotit Veliaj dhe në funksion të një përfitimi legjitim dhe të zotit Veliaj pasi të investonte për Teatrin e ri, por privatizim për të ndërtuar pallat. Pallat me dyqane dhe me dhoma gjumi. Natyrisht që estrada është domen ekzluziv i PD-së dhe është e drejta e legjitime e Lulzim Bashës, Florian Mimës dhe të gjithëve me radhë në atë oborr që për estradën të kenë fjalën e fundit, por në rastin konkret jemi përpara një shembulli nga qindra dhe mijëra shembuj që mund të nxjerrim për të ballafaquar fytyrën e tyre që tregon se sa hipokrite është përpjekja e tyre”, tha Rama.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Nga Twitter-i ai shkruajti se Teatri Metropolit është akoma ndërsa kinema 17 Nëntorin, kinema Republikën, kinema Partizanin, kinema Ali Demin, i ka shkatërruar Rama dhe ka ndërtuar pallate.

“Kryehajduti kërkon skutave për shkresa të pavlera. Teatri i Metropolit është aty! Kinema 17 Nëntorin, Kinema Republikën, kinema Partizanin, kinema Ali Demin, i ka shkatërruar Rama dhe ka ndërtuar pallate”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!