Rama inauguron rikonstruksionin e shkollës në Strumë

schedule15:56 - 17 Nëntor, 2017

schedule 15:56 - 17 Nëntor, 2017

Kryeministri Rama mori pjesë ne ceremoninë e inaugurimit të shkollës “7 Dëshmorët” në Strumë të Roskovecit, që u rikonstruktua nga Gazjellësit TransAdriatik TAP, falë rinegociimit të kontratës nga ana e Qeverisë përsa i përket investimeve sociale.

Rikonstruksioni i shkollës “7 Dëshmorët” sjell kushte më të mirë për 290 nxënësit e fshatit Strumë të Roskovecit. Ndërhyrja me vlerë 567 mijë euro është pjesë e investimeve sociale e mjedisore të Gazjellësit TransAdriatik, TAP.

Në ceremoninë e inaugurimit, përveç Kryeministrit Rama dhe ministrit të Energjisë, Gjiknuri, mori pjesë edhe drejtori i përgjithshëm i TAP, Luca Schieppati.

“Është vërtetë një nder, një kënaqësi që kemi kontribuar në rikonstruksionin e kësaj shkolle. Ne mendojmë që edukimi i të rinjve është thelbësor. Për ne, të jesh këtu, me këtë infrastrukturë, do të thotë të jesh pranë njerëzve, pranë komunitetit.”

Kryeministri Rama nënvizoi se investimi në këtë shkollë u bë i mundur falë rinegocimit të kontratës mes Qeverisë dhe TAP.

“Kjo shkollë edhe një sërë shkollash të tjera, si dhe të tjera vepra infrastrukturore në shërbim të komuniteteve ku kalon gazsjellësi janë rezultat i negociatave të çelura prej nesh, pasi ishte firmosur kontrata nga qeveria e mëparshme, ku kishim trashëguar vetëm 6 milionë euro në formë kontributesh të kompanisë për komunitetin dhe arritëm me negocime jo edhe aq të lehta, por në fund të suksesshme dhe të mirëkuptuara edhe nga pala tjetër ta rrisim këtë fond në mbi 30 milionë.”

Transformimi i mëtejshëm i shkollave do të vijojë të jetë në fokusin e qeverisë përgjatë 2018-s, theksoi Rama, ndërsa shtoi se duke filluar nga viti i ardhshëm, të gjithë fëmijët e fillores do t’i kenë librat falas./abcnews.al

 

https://youtu.be/DXxsMQbwMno

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!