Mënyra se si po vepron Suedia me pandeminë ka ngjallur diskutim edhe në Shqipëri.
Ky vend është sjellë si shembull nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ditën e e sotme në një bisedë me gazetarët.
Ndërsa Taulant Balla deklaroi në ABC News se Shqipëria nuk duhet kurrsesi të krahasohet me Suedinë pasi ato ndryshojnë në aspektin social.
Me sa duket Kryeministri Rama ka ndjekur këto deklarata për shtetin suedez dhe me anë të një statusi në rrjetet sociale shkruan se sipas shkencëtarëve të vet shtetit suedez kane kritikuar qeverinë e vendit dhe i ka bërë thirrje të ndryshojë qasje.
Kjo pasi Suedia ka kaluar shifrën e errët të 1200 vdekjeve në krahasim me fqinjët e saj.
Statusi i Ramës:
ILAÇI MË I MIRË NË KËTË KOHË PAQARTËSIE KAQ TË PAZAKONSHME ËSHTË INFORMIMI SA MË I MIRË, PËR GJITHÇKA NDODH NËPËR BOTË, KU TË GJITHË PËRBALLEN ME TË NJËJTËN SFIDË E ME TË NJËJTAT DILEMA
RASTI I SUEDISË KA NGJALLUR SHUMË INTERES, KURIOZITET, DEBAT DHE THASHË TA NDAJ ME JU KËTË INFORMACION TË SHKURTËR:
… Suedia ka kaluar shifrën e errët prej 1200 vdekjeve nga koronavirusi, duke tejkaluar numrat në vendet fqinje me të, ndërkohë që shkencëtarët vazhdojnë të vënë në pikëpyetje qasjen me dorë të lehtë të qeverisë.
Agjencia e Shëndetit Publik publikoi shifrën prej 1203 viktimave nga Covid-19 të mërkurën, një raport prej 118 për milion banorë, krahasuar me 55 në Danimarkë dhe vetëm 13 në Finlandë, të dyja shtete fqinje që kanë vendosur rregulla të ashpra karantinimi për të ulur shpërndarjen e virusit.
Raporti i numrit të viktimave për milion banorë në Suedi është gjithashtu shumë më i lartë se sa raporti prej 42 për milion banorë i regjistruar në Gjermani, por mbetet më i ulët se ai i Britanisë me 182 (deri të martën) dhe shumë më i ulët se i Italisë me 349 dhe i Spanjës me 399.
Në një letër të publikuar javën e kaluar në gazetën Aftonbladet, mbi 900 mësues dhe anëtarë të stafit edukativ thonin se ishte e pamundur për mjediset arsimore të shkollave dhe kopshteve të monitoronin respektimin e rekomandimeve për distancimin fizik, duke shtuar që “në shumë raste” fëmijët me familjarë të infektuar i janë bindur udhëzimit që të paraqiten në shkollë, që do të thotë “se nuk jemi në gjendje të mbrojmë fëmijët dhe arsimtarët në grupe të rrezikuara”.
Strategjia është kritikuar ashpër edhe nga shkencëtarët vendas. Një grup prej 22 doktorësh, virologësh dhe studiuesish kritikuan të martën Agjensinë e Shëndetit Publik në një editorial të botuar nga gazeta Dagens Nyheter.
“Qasja duhet të ndryshohet sa më shpejt dhe në mënyrë radikale,” shkruanin shkencëtarët.
“Ndërsa virusi përhapet është e nevojshme të rritet distancimi social. Mbyllni shkollat dhe restorantet. Të gjithë ata që punojnë me të moshuar duhet të mbajnë veshje mbrojtëse. Karantinohuni si familje nëse një anëtar është i sëmurë apo rezulton pozitiv sipas testit. Përfaqësuesit e zgjedhur duhet të ndërhyjnë, nuk ka zgjidhje tjetër.”/abcnews.al