“Rama ik”, kryeministri: Po të prisja, hajde këtu! E dini kush është brenda makinave të PD-së?

schedule19:52 - 18 Prill, 2021

schedule 19:52 - 18 Prill, 2021

Kryeministri Edi Rama sot u shpreh se nëse vjen PD-ja në pushtet do të rihapen bastet. Nga Tropoja në mitingun përmbyllës të fushatës në këtë qytet, kreu i qeverisë u shpreh se brenda makinave që shoqërojnë Lulzim Bashën nga njëri qytet në tjetrin sipas tij ndodhen njerëzit që duan hapjen e basteve, por edhe “shefa policie dhe njerëz të stërkorruptuar”.

Kam një gjë për të shtuar, a ju kanë bërë përshtypje sa të shtrenjta janë ato makina, të gjitha? Që tani këta janë ata që vendosin kujën për çmimin e naftës por ç’po i bëjnë naftës këta dhe nuk po ankohen fare?

 

Brenda në ato makina janë ata që janë turrur për të përsëritur të njëjtën gjë, brenda janë ata që menaxhonin bastet deri dje, që nga drejtori i basteve dhe një grup tjetër që janë bashkë me ato të basteve që duan ta rrëzojnë këtë qeveri që të fillojnë të hapin ato pikat e basteve për të filluar nga e para.

I bënë doganat dhe tatimet e Shqipërisë përshesh, i duan prapë. Aty janë ata shefa policie dhe njerëz të stërkorruptuar. Doni ti fusni në shtet?” ngriti pyetjen Rama.

Teksa po mbante fjalën përpara socialistëve, një fëmijë pak metra më tutje thirri “Rama ik”. Kaq mjaftoi që kryeministri të dilte te pjesa e tij e preferuar, batutat. “Ja doli, po e prisja, thashë si po s’po më thotë njëri, ja është një atje matanë murit thotë Rama ik. Ku të iki, unë do iki, po ti ku do shkosh, se unë për Tiranë jam. Më bukura është se thonë Rama ik dhe ikin vetë me vrap. Nuk i takoj dot t’u them si është puna? Ikin”.

Në fund, pasi kërkoi mbështetjen e tropojanëve për kandidatin e PS-së, Petrit Malaj, kryesocialisti kishte një premtim. “Nëse do ta sillni Petritin në parlament të parën vizitë si kryeministër pas 25 prillit do ta bëj në Tropojë dhe natyrisht jo për të mbajtur fjalime por për të thënë cfarë do të të bëjmë, si dhe kur do e bëjmë. Jam gati të vij sapo të dalë rezultati, e pashë aty që Petriti është deputet do të vij” tha ai./ db/ Abcnews.al