“Rama ia arriti qëllimit”, Mediu: Opozita të bënte diferencën me votimin e Begajt si person

schedule19:53 - 6 Qershor, 2022

schedule 19:53 - 6 Qershor, 2022

Për kreun e republikanëve, Fatmir Mediu, kryeministri Edi Rama ia arriti qëllimit për të përçarë opozitën në procesin për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

I ftuar në Radar Informativ me Juli Xhokaxhi, Mediu tha ndër të tjera se maxhoranca gjeti terrenin e gatshëm, pasi opozita nuk arriti të propozojë një kandidat. Sipas tij opozita duhet të ishte e unifikuar dhe të çonte një kandidat të saj.

“E kam njohur shumë herët. Kam pasur edhe marrëdhënie pune kur isha ministër i Mbrojtjes. Këtu nuk ishte çështje e emrit të zotit Begaj. Ne pretenduam që duhet të kemi konsensus kushtetues. Procesi që ndoqi PS ishte i qëllimshëm dhe i njëanshëm. Tentoi që të ulte nivelin e negociatave politike. Tentoi dhe arriti që ta ketë opozitën të ndarë. E bëri procesin formal nga pikëpamja e idesë që opozita duhet të propozojë dhe ne duhet ta dëgjojmë. Kjo ishte edhe një e metë e opozitës. Gjeti terrenin e gatshëm sepse opozita nuk arriti të propozojë.

Opozita duhet ta kuptojë që nuk e ka në marrëveshje me Edi Ramën. Duhet të ofronte kandidatura me vlerë. Nuk e bën dot as me numrat dhe dëshirat. Nëse do kishte përcjellë kandidatura që gëzonin respekt padyshim që do ta kishte vendosur më nën presion. Se kam dëgjuar që nuk do na votonte Rama.

Duhet të uleshe me PS duke qenë e unifikuar si opozitë për të diskutuar përemra që të vinin nga të dyja palët. Në momentin që nuk bien dakord secila palë shkon me emrin e  vet.

Ka njerëz në opozitë që mendojnë të prishin shtëpinë dhe të ndërtojnë kasolle. Secili mendon për kasollen e vet. PD duhet të rikthehet në shtëpinë e vet. ne duhet të përjashtojmë çështjet individuale. Shqiptarët e dinë më mirë se kush janë problemet e kësaj qeverie”, tha ai.

Më tej Mediu shprehet se uron që Bajram Begaj të bëjë detyrën e tij si president, ndërsa tregon se ka punar me të dhe ka vlerësim pozitiv. Sipas tij, opozita duhet të bënte diferencën në votimin e Begajt si person.

“Ligji ka përjashtuar që ushtarakët aktivë nuk emërohen në asnjë post. Në momentin që dekretohet ka të drejtë. Si u krye ky proces, janë ca gjëra që mund të diskutohet. U bë dekretimi në truallin shqiptar apo jo. Këto janë filozofi kushtetuese. Për mua qytetarët shqiptarë duan të dinë është njeri i mirë.

Nëse zoti Begaj do të vinte që në raundin e parë, në diskutimin e palëve do të jepja po të njëjtin vlerësim pozitiv. Opozita duhet të bënte diferencën në votimin e Begajt si person. Nuk di të ketë qenë anëtar i PS ndonjëherë. Individi ka vlerë në mënyrë të padiskutueshme. Uroj që presidenti i zgjedhur ta ushtrojë këtë. Absurditeti më i madh ishte se nuk duhet të ishte politikan. Sot opozita duhet të bëjë kapërcimin e madh, të hapjes, të një kualiteti të ri. I vetmi shërbim që duhet të bëjë është një alternativë ndryshe.  Do të uroja që zoti Begaj të bëjë detyrën. Shpresoj që të jetë një president mbi palët”, tha ai.

I pyetur lidhur me debatin e procedurës së ndjekur nga Ilir Meta për dekretimin e tij si shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Mediu thotë se më shumë se kjo është absurd nxitimi i PS.

“Për mua se firmosja e menjëhershme e Metës është veprimi  absurdi PS që nuk e solli për diskutim kandidaturën e tij”, tha kreu i PR. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!