Rama i përgjigjet Metës: Forcat ushtarake për sigurinë janë në çdo vend të botës

schedule13:18 - 11 Prill, 2019

schedule 13:18 - 11 Prill, 2019

Kryeministri Rama i është përgjigjur në mënyrë indirekte pikëpyetjeve të Presidentit për mbështetjen ligjore të vendosjes së policisë ushtarake në Aeroportin e Rinasit. Në profilin e tij në Instagram, Rama ka postuar një foto nga një aeroport i huaj ku ka prani ushtarake dhe shkruan se “Forcat ushtarake në aeroportet e Parisit, Venecias, Frankfurtit dhe Amsterdamit, janë vendosur ashtu si në plot vende të tjera të Europës dhe botës demokratike, si reagim ndaj akteve cënuese për sigurinë e infrastrukturave aeroportuale dhe qytetarëve që i përdorin ato.”

Duke iu referuar vendimit për Shqipërinë, kryeministri shkruan se “Ndërkohë beretat e kuqe të policisë sonë ushtarake janë vendosur thjesht në ruajtje të perimetrit të jashtëm të sigurisë. Prandaj kush flet për shkelje kushtetute, gjendje lufte, juntë ushtarake e marrëzira të tjera si këto, le të gjejë ndonjë arsye tjetër për të treguar se sa shumë i dhimbsen Kushtetuta dhe standardet demokratike.” /abcnews.al