Gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive Shqipëri dhe Kosovë, kryeministri Edi Rama u ka kërkuar dy ministrave të brendshëm të heqin pragun 5-vjeçar për lejet e qëndrimit në dy vendet. Rama tha se kjo leje duhet të jetë pa afat në mënyrë që pas 5 vitesh qytetarët të mos i drejtohen sërish institucioneve për ta rinovuar.
Biseda
Edi Rama: Një pyetje kam se gjithmonë e kam këtë kuriozitet si funksionon racionalja e një ministri të Brendshëm. Pse e bëni këtë lejen 5 vjet. Do martohen njerëzit për shembull. Pas 5 vitesh duhet të vijnë prapë tek ju për t’iu treguar që janë bashkë dhe do rrinë më gjatë. I marrin lejet për t’u martuar nga familjet përkatëse. Juve ju njoftojnë. Pse duhet të vijnë tek ju prapë pas 5 vitesh. Mund të ma shpjegosh ministër?
Xhelal Zvelça: Në shembullin që ju përdorët nuk do ketë nevojë për lejen.
Edi Rama: Në cilin rast doni ju që të vijë prapë te ju për leje?
Xhelal Zvelça: Leja 5-vjeçare do vlejë për studentët dhe të punësuarit. Pas 5 vitesh ai nuk do vijë të kërkojë leje. Automatikisht atij do i zgjatet leja
Edi Rama: Hiqen fare këtë 5-vjeçarin. Është si pengesë psikologjike kur e sheh në letër Merr leje dhe mjafton. Mos ta heqim me votë këtu se do dilni minorancë ju këtu.
Bledi Çuçi: Nuk ka nevojë për votë se i vëmë një zero mbrapa dhe themi 50 vjet.