Nga Libofsha e Fierit, kryeministri Edi Rama komentoi serisht protestën e dhunshme të zhvilluar dje para parlamentit. Kjo është hera e parë tha Rama, në historinë 28 vjeçare të demokracisë shqiptare, që opozita mbështet një protestë kundër prishjes së ndërtimeve pa leje.
Atyre banorëve që vijnë vërdallë për 25 vjet për pronat e tyre u tha se qeveria do t’ua zgjidhë me miratimin e dy projektilgjeve për reformën e pronës. Kryeministri Edi Rama e pa me vend të sqaronte se këtu nuk bëjnë pjesë ata që protestojnë në unazën e re.
“Por nuk mund të legalizojmë në kurriz të buxhetit aty ky është e pamundur. Kurrë nuk ka pasur një protestë të udhëhequr nga partitë për një gjë që ligji nuk e lejon. Luftë për pushtet, gjej shesh bëj pushtet. Edi Ramën nuk e mundim dot me votë dhe hajde të bëjmë këto”.
Nuk pranon ta akuzojnë për mashtrime gjatë fushatës elektorale.
“U tha se unë paskam thënë që shtëpitë nuk prishen dhe tani po i prish por kjo nuk është e vërtetë, është një shpifje dhe një sajesë, sepse në 8 vjet te qeverisë së mëparshme u legalizuan 21 mija banesa, ne kemi legalizuar 150 mijë në 4 vjet”.
Për të folur për reformën e pronës kishte marrë me vete edhe kryetarin e Kuvendit i cili kishte përgatitur t’u jepte një mesazh banorëve të unazës së re, duke nisur edhe nga eksperienca personale.
“Unë e ndjej fort se çdo të thotë të prishet shtëpia, me apo pa leje, sepse jam një si ata… jam fshatar që edhe unë gjatë viteve të gjata të jetës kam bërë shtëpi me duart e mia, dhe kimetin shtëpisë ia di ai që ka pak lekë dhe vetë e bën, por do t’u thosha: miqtë e mi gabimi që bëj unë dhe ti si familjarë, e paguajnë fëmijët tanë, ndërsa gabimet që bën politika, e paguan gjithë shoqëria”.
Ashtu si kryeministri Rama edhe kryeparlamentari Ruçi tha se qeveria nuk mund të shkelë ligjin dhe prandaj ai bën thirrje që marria 28 vjeçare se si është vepruar me pronën të marrë fund dhe banorët që preken nga unaza e re të marrin atë që shteti do t’u caktojë. /abcnews.al