Rama: Fshehja e ngjarjes e patolerueshme, të nisë verifikimi i të gjitha vetëdeklarimeve

schedule10:48 - 16 Gusht, 2019

schedule 10:48 - 16 Gusht, 2019

Tre ditë pasi i tregoi se nuk duhet të hynte në derën e Bashkisë së Shkodrës, por në atë të prokurorisë, kryeministri Edi Rama zbut tonet ndaj njërit që e përzgjodhi për qytetar të parë të kryeqendrës së veriut.

“Valdrin Pjetri nuk është kriminel! Ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD. Çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrësesi njeriun një kriminel”!

Kaq për të rrëzuar pretendimet e opozitës se mazhoranca pranon në radhët e saj njerëz të lidhur me krimin. Fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme, shkruan më tej kryeministri Rama, i cili sqaron se Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit.

“Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria. Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje”!

Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë, sugjeron kryeministri që pas rastit të fundit të të zgjedhurit socialit kërkon verifikim të të gjitha vetëdeklarimeve.

“Jo vetëm kaq, po është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur.Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal. Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive”./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!