Rama flet sërish për Tiren: Rast babëzie nga një personazh i neveritshëm, denonconi abuzimet

schedule18:50 - 18 Janar, 2021

schedule 18:50 - 18 Janar, 2021

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij këtë të hënë në seancën plenare është shprehur se procesi i vaksinimit nuk është i thjeshtë dhe nuk do të japë efekt të menjëhershëm, por janë masat kufizuese dhe zbatimi i tyre që do na ndihmojë në menaxhimin e situatës.

Ndër të tjerë shefi i qeverisë ka bërë me dije se vijojnë përpjekjet për të siguruara dozat e nevojshme të vaksinës anti Covid për qytetarët.

“Mos harrojmë se në aspektin e masave shtrënguese ne e kemi arritur që të krijojmë një ekuilibër që është pozitiv për shëndetin dhe për qeverinë. Për këtë mjafto që të shikojmë kalendarin krahasimor mes shumë vendeve dhe kjo mjafto që të shikojmë dhe vendet që kanë masa shtrënguese në fuqi dhe që i kanë shumë me tepër se ne dhe me siguri strategjia e masave dhe të gjithë lëvizjet e bëra kohë pas kohë me shtrëngimin dhe lirimin e tyre dhe respektimin  nga qytetarët na ka dhënë mundësinë që të kemi një bilanc pozitiv që duhet të shikohet në vijim, pasi  vaksinimi kërkon kohën e vet dhe nuk është aq i lehtë sa vaksinimi nga gripi i stinës nga aspekti i volumit dhe i procesit dhe po të shikoni dhe në vendet e tjera projeksionet janë të ngjashme me projeksione tona me skenarin e mesëm dhe afatgjatë.

E gjithë përpjekja e strukturave tona në aspektin shëndetësor do të jenë të fiksuara për përmbylljen me sukses të këtij skenari. Ne nuk humbëm kohë dhe patëm një vonesë nga vendet që patën një akses të menjëhershëm dhe ne jemi përgatitur më së miri për të siguruar numrin e dozave në dispozicion për të mos ngelur në një ritëm të ulët për shkak të mbingarkesës dhe as të mos ngelim në një ritëm të ulët për mospasjen në dispozicion të dozave të nevojshme.

Në këtë proces sistemi shëndetësor ka dëshmuar, qëndrueshmeri, aftësi performuese dhe falë eksperteve tanë të komitetit teknik kemi pas largpamësi”, ka thënë Rama.

Gjithashtu kryeministri Rama ka risjellë në vëmendje sërish rastin e skandalit që ka ndodhur në spitalin Covid 2 ku një sanitare e cila u hoq si infermiere i mori 8 mln lekë një qytetareje për ti shërbyer familjares së infektuar me Covid.

Rama ka bërë thirrje qytetarëve që të ngrenë zërin ndaj abuzimeve të tilla, dhe nëse nuk kanë besim te drejtësia të bëjnë si në rastin e qytetares që denoncoi sanitaren në një emision investigativ, mjafto mos të heshtin.

“E mira nuk ka fund, ka problem për tu zgjidhur dhe çështje për tu adresuar për të përmirësuar procesin në vijimësi, ka momente të trishtueshme siç ishte momenti i shfaqjes së një harbutërie dhe babëzie të pashembullt nga një personazh që ishte vërtet i neveritshëm në spitalin Shefqet Ndroqi por nga ana tjetër aq sa i trishtueshëm ishte një moment i tillë aq dhe pozitive ishte që një qytetare denoncoi që një media investigative e mbështeti dhe i shkoi deri në fund procesit që personazhi abuziv është pas hekurave dhe mesazhi është i qartë.

Ne jemi në gatishmëri të plotë për të bërë atë që na takon, dhe për të reaguar ashtu si na takon ndaj çdo shfaqje abuzive sidomos në sistemin tonë shëndetësor. Qytetarët të mos heshtin, të mos struken por të denoncojnë çdo rast të çdo niveli abuzimi, pasi raste të tilla mund të mos jenë të përditshme por në të përditshme dhe një vonesë e shkaktuar për pak mln lekë është abuzim.

Është e patolerueshme që një veprim i tillë të njollosë sakrificën e bluzave të bardha, cilët dhe jetën kanë humbur në këtë betejë me koronavirusin, dhe vijojnë që të rezistojnë në vijën e zjarrit. Është e patolerueshme që e gjithë kjo punë kolosale që është bërë vazhdon dhe do të vijojë dhe ka ende shumë që të njolloset nga elementë të tillë është e patolerueshme që kushdo që bie viktimë të heshtë,. Edhe pse ka ende vështirësi në këtë aspekt për të denoncuar te organet ligj zbatuese dhe nëse ka mungese besimi te organet e drejtësisë është e justifikueshme që të shkojë te një media investigative ta bëjë këtë gjë dhe kjo është puna më e mirë që një qytetar mund të bëjë sot për ta forcuar dhe ndihmuar që të përparojë sistemin tonë të drejtësisë. Është një punë atdhetare që të japësh kontributin tënd individualisht”, është shprehur ndër të tjera kryeministri./abcnews.al