Rama flet për librat falas në Elbasan

schedule19:36 - 6 Shtator, 2018

schedule 19:36 - 6 Shtator, 2018

Nga Elbasani kryeministri Edi Rama tha se 2/3 e nxënësve të shkollave 9-vjeçare marrin libra falas këtë vit shkollor. Rama paralajmëroi hapjen e shkollës së drejtorëve dhe nuk kurseu batutat për protestuesit disa metër larg tij.

“Në radhë të parë mendojmë për Shqipërinë e fëmijëve nesër, jo thjeshtë për të konsumuar të sotmen”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij në Elbasan.

Gjatë një takimi në Elbasan me mësuesit ndihmës për fëmijët me nevoja të veçanta kryeministri Edi Rama nënvizoi se 190 mijë nxënës përfitojnë libra falas këtë vit shkollor.

“Janë gati 2/3 e nxënësve që i marrin falas nuk është thjeshtë nga klasa e I në të IV, por janë edhe pjesa tjetër nga e V në të IX që hyjnë te ato kategoritë që thashë e që i marrin falas. Ndryshimi nga viti i kaluar  nuk është më bleji ti që t’i kompensojë shteti, por është merri librat dhe kaq”, tha Rama.

Kryeministri paralajmëroi hapjen e shkollës së drejtorëve.

“Do të jetë një shkollë për të trajnuar në mënyrë të vazhduar menaxherët e  shkollave dhe kjo do të ndryshojë shumë gjëra për shkollat besoj. Sikundër edhe trajnimi i mësuesve sot ka ndryshuar rrënjësisht si praktikë dhe si mundësi”, tha ai.

Duke kritikuar gjendjen e këndit sportiv të shkollës ku u bë takimi, Rama nuk i kurseu batutat dhe ironinë për disa qytetarë që e pritën me protestë vizitën e tij në Elbasan.

“Të studiosh me tekste të Oxford-it dhe të kesh këto kosha  basketbolli janë dy gjëra që nuk shkojnë me njëra tjetrën. Këto kosha basketbolli janë për ata që bërtasin aty te rruga nuk janë për ne. Ata mund të lozin basketboll me këto kosha, jo ne. Jo  fëmijët që ju themi keni tekstet e Oxford-it pavarësisht se ata nuk lozin dot basketboll se nuk njohin topin, por gurin. Kjo është tjetër gjë. Edhe sport për të gjuajtur me gurë nuk ka”, tha Rama.

Protestuesit me pankarta në duar qëndruan rreth 100 metra larg vendit ku kryeministri u takua me mësuesit dhe pas përfundimit të aktivitetit u shpërndanë paqësisht./abcnews.al