Rama: Erdha nga emigracioni se Shqipëria mund të bëhet, mos u dorëzoni, më besoni mua

schedule13:04 - 11 Prill, 2021

schedule 13:04 - 11 Prill, 2021

Të dielën, kryeministri Edi Rama ua kushtoi të rinjve në Tiranë ku zhvilloi një takim elektoral në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 25 prillit. Kreu i qeverisë që ka objektiv një mandat të tretë radhazi u kërkoi të rinjve që t’i besojnë PS-së për të mos ndaluar, sipas tij në mes reformat e ndërmarra.

Unë nuk u futa në politikë se doja të isha politikan. Unë isha në emigracion dhe mua më ka shtyrë në këtë rrugë besimi shumë i fortë që ky vend bëhet.

Dhe nëse ky vend nuk është bërë dhe nëse në këtë vend njerëzit kanë rënë pre e recetave çudibërëse kjo ka ardhur se ajo shumicë njerëzish që besojnë te puna, vetja dhe guximi i tyre i kanë lënë të tjerët të marrin vendime për ata.

Unë kam hyrë në këtë rrugë, pasi nuk doja që fatin tim t’jua delegoja të tjerëve. Mos u lodhni, mos u dorëzoni, ngjitja në majë është e vështirë. Kjo botë është e atyre që nuk ndalen, që nuk pushojnë.

Nuk jam këtu për veten time. Nëse do të ishte në aspektin personal i kam realizuar të gjitha. I kam prekur të gjitha majat që mund të prekur dikush me politikë dhe i kam pasur të gjitha nderet që mund të ketë dikush që votohet nga popullit i tij. Por ka një dallim shumë të madh, ne, unë, Erioni, ju të gjithë, e duam pushtetin për Shqipërinë” tha Rama.

Në vijim të fjalës së tij, Edi Rama u shpreh se nuk është kundër largimit të të rinjve shqiptarë jashtë vendit, por nëse ikin të kenë një zanat dhe jo të bien pre e trafiqeve.

Dhe e duan atë që shohin menjëherë dhe nisen, ikin, është shumë e dhimbshme, kur një i ri largohet dhe ndërkohë nuk e ka as zanatin për të përballuar jetën atje, as përgatitjen për t’u përballuar dhe bie e pre e atyre që i marrin dhe i fusin në shtëpitë e barit në Holandë dhe rrjetet e drogës në Angli apo i trajtojnë si skllevër.

Ajo që unë dua nuk është që të rinjtë të mos ikin, por të zgjedhin dhe nëse vendosin të ikin të jenë të armatosur me një zanat dhe atje ku ikin të jenë shqiptarët që dinë të ofrojnë një shërbim dhe jo t’u bëhet jeta skëterrë, por duhet durim dhe kohë” tha ai.

Nga foltorja e improvizuar në Laprakë, Edi Rama promovoi dhe prodhimet “Made in Albania”, alete me logon e PS-së të një marke të njohur prodhuar në Berat. “Më erdhi një dhuratë nga Berati. Më erdhën dy palë (atlete), një palë të bardha dhe një palë të zeza. Kjo atlete është “Philipp Plein”, një nga emrat më të njohur në botën e modës dhe kjo atlete e prodhuar në Berat shitet sa “frëngu pulën” në Europë” tha ai./ db/ Abcnews.al