Media turke: Ne rrëzuam marrëveshjen detare Shqipëri-Greqi

schedule14:36 - 16 Shtator, 2020

schedule 14:36 - 16 Shtator, 2020

Mediat turke kanë reaguar sërish në lidhje me negociatat për detin mes Shqipërisë dhe Greqisë duke risjellë në vëmendje rrëzimin e marrëveshje së vitit 2009 nga Gjykata Kushtetuese.

Madje, mediat turke theksojnë se ishte ndërhyrja e autoriteteve të Turqisë ajo që çoi në rrëzimin e marrëveshjes së detit “duke i dhënë kështu fund planeve të Greqisë në detin Jon“, shkruan abcnews.al.

“HaberTurk”, media pranë qeverisë në Turqi i rikthehet sot këtij episodi të vitit 2009 duke theksuar se autoritetet turke njoftuan autoritetet shqiptare duke iu thënë tekstualisht se “Greqia po ju mashtron”.

Ndër të tjera, HaberTurk shkruan:

Ekspertët konfirmojnë se Greqia synoi të përdorë të njëjtën skemë edhe me Shqipërinë, duke i njohur ishujve shumë pranë territorit një Zonë Ekskluzive Ekonomike të barabartë me tokën. Përballë kësaj situate ne njoftuam palën shqiptare duke bërë që Greqia të mos marrë asnjë rezultat nga një tentativë e tillë. Pas anulimit të marrëveshjes me Shqipërinë, Greqia ktheu sytë nga zona detare në jug të Kretës duke kërkuar për gaz.

HaberTurk i referohet një interviste të dhënë nga Admirali turk Cihat Yayci, i cili është edhe arkitekti i planit “Atdheu Blu”, përmes të cilit Turqia shpall Zonë Ekskluzive Ekonomike në një pjesë të mirë të Egjeut.

Në intervistën dhënë HaberTurk-ut në qershor të këtij viti, Yayci është më i drejtpërdrejt në këtë drejtim duke theksuar:

Ne e njoftuam palën shqiptare duke iu thënë se “Greqia po i mashtronte”. Në fund, edhe pse marrëveshja u nënshkrua, Shqipëria i tha Greqisë se “ishujt e tu nuk mund të kenë të njëjtin ndikim në Zonën Ekskluzive Ekonomike me tokën time” duke e çuar marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila e rrëzoi.

Gjithçka nga media pro qeveritare turke rikthehet pas debatit mes kryeministrit Rama dhe firmëtarës së marrëveshjes së detit me Greqinë, të rrëzuar, Dora Bakojanis.

Pjese nga intervista e Admiralit turk Cihat Yayci

Në debatin e sotëm, Bakojanis i tha Ramës së marrëveshja e vitit 2009 u rrëzua përmes ndikimit të Erdoganit.

Jam unë ajo që kam nënshkruar këtë marrëveshje, u mërzita shumë kur mora vesh vendimin e gjykatës kushtetuese. Me vjen keq që pas kaq vitesh nuk kemi një marrëveshje mes dy vendeve. Për të qenë e sinqertë, ndërhyrjet e palëve të treta në këtë marrëveshje ka qenë të mëdha. Të gjithë e dimë që Turqia nuk e ka dashur këtë marrëveshje. Unë njihem në Greqi si një nga mbështetësit e dialogut mes Greqisë dhe Turqisë”, deklaroi Bakojanis duke nxitur reagimin e Ramës.

Kryeministri i Shqipërisë theksoi se ai nuk kishte kontakte në atë kohë me Erdoganin. Madje, Rama këmbënguli se e kishin çuar marrëveshjen e detit në Gjykatën Kushtetuese pas debatit të nisur në shoqërinë civile.

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për këtë marrëveshje në vitin 2009, në atë kohë unë kurrë se kisha dëgjuar dhe kurrë s’kisha folur me Erdoganin, atëherë ai ishte kryeministër i Turqisë. Ne ishim partia kryesore e opozitës ne vendosëm ta çonin më Gjykatën Kushtetuese, kishte një debat me shoqërinë civile“, tha Rama. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!