Drejtësia e Pavarur është garanci për Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Gjatë prezantimit të ministrit të ri të drejtësisë, Besfort Lamallari, kryeministri Edi Rama tha se falë vullnetit të shumicës gjyqësori është i pavarur ndërsa konsolidimi i tij mbetet prioritet i këtij mandati të katërt.
“Është fakt që ne nuk kemi hyrë në asnjë rast dhe për asnjë rast në përmbajtjen e një çështjeje me të cilën është marrë drejtësia. largimi i duarve të pushtetit ekzekutiv nga çdo proces gjykimi, nga çdo proces seleksionimi, nga çdo proces përzgjedhjeje, nga çdo proces promovimi, nga çdo proces shkarkimi i prokuroreve dhe gjykatësve është një premisë e domosdoshme për të garantuar një drejtësi funksionale demokratike të pavarur për të ardhmen e vendit tone”, tha Rama.
Duke risjellë në vëmendje kohën kur drejtësia ishte mashë e politikës, Rama thotë se pavarësisht se kush del përballë saj, e vetmja gjë që mund të bëjë shumica është të përmirësojë standardet.
“Nuk ndryshojmë dhe jeni të detyruar që këto lloj dhimbjesh, që ndryshe nga ju, këtu flas për shërbimin civil, na bie të përjetojmë si pjesë edhe të qenies tonë politike, qoftë kur dikush ndër ne mëkaton për përfitime të paligjshme, qoftë kur mëkaton drejtësia e pavarur, duke përdorur disproporcionalisht forcën. çfarë duhet të vazhdojmë të bëjmë bashkarisht, është të përmirësojmë standardet”, shtoi ai.
Rama paralajmëron përdorimin e inteligjencës artificiale edhe në sistemin e drejtësisë e cila do të nisë me pastrimin e legjislacionit nga mbivendosjet. Dhe këtu, kryeministri kishte një përgjigje për të gjithë kritikët e Diellës, ministres së parë në botë të inteligjencës artificiale.,
“Diskutojnë sot si do vjedhë Diella sepse kur je hajdut, aty te rri mendja, si do vjedhë ai tjetri atë që ti do ta vjedhësh për vete por që nuk po të bie rruga andej. Si i shkon një njeriu normal mendja, mund të ketë 1000 pyetje për Diellen por nuk i shkon mendja si do vjedhë kjo. I shkon mendja vetëm atyre që ose kanë vjedhur ose vjedhin ose do vidhnin në rast se i caktonte njeri ne vend të Diellës”, tha ai.
Por në të vërtetë ajo që do të bëjë Diella është e kundërta ndërsa do ti bashkohen edhe të tjerë kolegë.
“Termat e referencës transparent dhe të barabartë dokumentacioni mblidhet në mënyrë uniforme për të gjithë dhe në fund është oferta. Oferta flet vetë, ashtu sikundër të gjitha ato kritere që janë kritere të cilësisë, askush nuk i gjykon dot më objektivisht se sa Inteligjenca Artificiale. Gjitha arkitektura e sistemit tani është ndërtuar dhe tani do të ecet me implementimit. Do të duhen edhe disa bashkëpunëtorë të Diellës, jo njerëz prapë, që jemi shumë besimplotë, “Diella do t’i lindi në maternitetin e Inteligjencës Artificiale”, nënvizoi Rama.
Ndërsa Lamallari shpalosi dy prioritet e tij në krye të drejtësisë.
“Miratimi i paketës ligjore që lidhet me standardet e Reformës në Drejtësi dhe angazhimet që kemi marrë përballë BE, për mbylljen me sukses të Kodit Penal dhe Kodit Civil”, tha ai.
/abcnews.al/

