Nga Fushë Kruja ku dorëzoi çelësat e banesave të rindërtuara pas tërmetit të 26 Nëntorit, kryeministri Edi Rama denoncoi gjyqtarin e radhës që sipas tij po mban peng procesin e rindërtimit në Laç. Rama tha se ai i ka dhënë sigurim padie dikujt për interesat e tij personale. Rama u përgjigj në lidhje me akuzat e bëra për rindërtimin e banesave.
“Era këtu nuk është edhe aq e butë kështu që në radhë të parë dua të them se këto janë momentet që bëjnë t’i bësh hallall të gjitha mundimet dhe ato që je i detyruar të mbash në kurriz kur ke nderin të bësh këtë detyrë. Gjithë ato llafe dhe thashetheme që të shoqërojnë çdo ditë dhe nuk kanë munguar as në këtë proces. Jam i lumtur që ia kemi dalë të qëndrojmë pranë 50 mijë familjeve që kanë pasur nevojë për mbështetje minimale.
Kur kemi ardhur këtu ishte një fushë nuk kishte asgjë. Na thonin keni shkuar atje me bërë vila për vete. Erdha unë këtu në Fushë Krujë të bëja vila për vete. Fushë Kruja sot duket sikur është botë e re. A po shkoni atje dhe bëni sikur hidhni dhe. Dhe pafundësisht të tjera. Por puna në fund të shpërblen dhe vepra flet vetë. Kemi pasur jo pak probleme për të sistemuar njëherë pronën. Ne na është dashur të përballemi me hallet dhe problemet si një familje e zakonshme.
Sot që flasim në Laç nuk po arrijmë dot të fillojmë të gjitha pallatet sepse ka dalë një gjykatës dhe i ka dhënë një sigurim padie njërit sepse ka një dyqan ai a nuk e di çfarë ka dhe mban peng. Dhe në Krujë lart ju shohin ju poshtë dhe thonë u bënë këta të futen në shtëpi para nesh. Por duhej sistemuar gjithë prona. Është një lagje e re edhe atje që ka filluar tani më në fund. Në dy vjet u fut në mes pandemia”, tha Rama. m.v/Abcnews.al