Rama: Do t’u imponojmë kompanive sigurimin e jetës së çdo minatori

schedule14:35 - 16 Prill, 2018

schedule 14:35 - 16 Prill, 2018

Qeveria do të detyrojë me ligj kompanitë minerare të sigurojë jetën e çdo minatori që punon në to. Kryeministri e njoftoi këtë gjatë një interpelancë online me një përfaqësi të minatoreve, ku u diskutua për kërkesat e tyre.

Në takimin virtual me kryeministrin Edi Rama i adresojnë një shqetësim të vjetër që s’ka marrë ende zgjidhje.

“Është një kërkesë që është aq e vjetër, sa jeni ju në politikë”.

Pagat minimale, jo më pak se 200 përqind e pagës minimale zyrtare. Pensioni minimal të jetë 131 përqind i pagës minimale. Janë disa nga kërkesat e minatorëve, të cilat janë në rrugën e zgjidhjes, sipas ministrave, në krah të kreut të qeverisë.

Një tjetër kërkesë është për familjet e minatorëve që humbin jetën në minierë. Por është kryeministri që u tregon se çfarë ka planifikuar qeveria.

Edi Rama: “Rruga nuk është buxheti. Rruga është sigurimi i jetës dhe ne e kemi pjesë të planit që t’u imponojmë kompanive sigurimin e jetës së çdo minatori”.

Pavarësisht se kryeministri u shpjegoi se qeveria ka çuar përpara shumë reforma, në shëndetësi dhe drejtësi minatorët dëshmojnë të kundërtën.

I ashpër tregohet kreu i qeverisë edhe me gjykatësit që nuk po kalojnë procesin e Vettingut duke i paralajmëruar se nuk ka mbaruar me kaq.

Edi Rama: “Askush të mos mendojë që këta gjykatës që spastrohen do jenë rehat sepse sistemi i ri i Prokurorisë dhe Gjykatave nuk ka për t’i lënë rehat në rast se kanë shkelur në raste flagrante dhe këta kanë shkelur në raste flagrante”.

Pavarësisht toneve të ashpra për ata që abuzojnë me detyrën e ligjin, kryeministri u përpoq ta bëjë më pak institucionale bashkëbisedimin virtual./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!