Maxhoranca do të kërkojë mendimin e komisionit të Venecias lidhur me projektligjin e paraqitur nga PD për vetting në politikë. Nëse ky komision shprehet në favor të kësaj nisme, edhe socialistët do ta votojnë atë. Në studion e gazetares Eni Vasili në Top Chanel, kryeministri i Shqipërisë, njëkohësisht kryetar i maxhorancës socialiste e quajti një farsë propozimin e PD për vetingun në Politikë. Sipas Ramës, vetingu i politikanëve shihet nëse kanë duart e pastra, ndërsa përfshirja apo jo e tyre në krim është çështje e organeve të drejtësisë. Sipas tij, vetingun e politikanëve do ta bëjnë SPAK dhe BKH, siç e parashikon reforma në drejtësi, e votuar nga të dy palët.
Kryeministri tha se dëshiron të hapen librat e pasurive dhe të shpenzimeve të politikanëve, të familjarëve dhe të krushqve të tyre, nisur nga “sarajet” e tij.
Rama u shpreh për herë të parë në këtë studio edhe për idenë e korrigjimit të kufirit Kosovë-Serbi. Ai tha se nuk ka folur deri tani, pasi i takon në radhë të parë shtetit dhe autoriteteve të Kosovës të përpunojë një platformë për dialogun. Ndërsa veten e tij e sheh të fundit ndër shqiptarët për të folur për këtë çështje mjaft delikate, ku luhet fati jo vetëm i Kosovës, por i kombit shqiptar.
Rama tha se Shqipëria ka detyrimin të mbështesë fuqimisht Kosovën dhe në këtë detyrim të ndjekë dhe të presë se çfarë mendojnë dhe çfarë do të bëjnë përfaqësuesit e Kosovës. /abcnews.al