Rama distancohet nga Pjetri: Ndahet nga PS deri në daljen e së vërtetës

schedule15:30 - 13 Gusht, 2019

schedule 15:30 - 13 Gusht, 2019

Edi Rama distancohet prej drejtuesit të tij politik në Shkodër, Valdrin Pjetri duke thënë se ai nuk ka më asnjë lidhje me Partinë Socialiste derisa të dalë e vërteta ligjore.

Edi Rama lan duart me të preferuarin e tij për Shkodrën.

Pa vënë ende shiritin e kryebashkiakut,  kryeministri ka reaguar pas dokumenteve të publikuara nga PD për arrestimin e Valdrin Pjetrit, duke thënë se përgjegjësia është individuale.

“Jo Valdrini, po vëllai im të jetë, s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua, në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale. Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual!”

Një lloj si me Sajmir Tahirin, Rama njoftoi se kandidati fitues i Shkodrës, nuk ka asnjë lidhje me Partinë Socialiste, derisa të dalë e vërteta.

“I edukuar, i zoti, i respektuar familjarisht në Shkodër e kudo ka punuar, po kjo s’mjafton më! Kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin, po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht”.

Një paralajmërim e ka për të gjithë skuadrën e tij politike në Partinë Socialiste.

“E me këtë rast, të tërë ta fusin mirë në kokë: Unë s’kam ndërmend të toleroj askënd dhe as të marr përsipër raportin individual me ligjin të askujt! Shkoj në luftë për çdo ide, qëllim a shok armësh, po kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky, as marr më, as lejoj më t’i marrë PS!”.

Pas një karriere të gjatë në drejtori të rëndësishme Valdrin Pjetri u kandidua nga Edi Rama për bashkinë e Shkodrës, dhe në 23 korrik, u caktua po nga Edi Rama si drejtues politik i gjithë qarkut Shkodër, duke zëvendësuar Ditmir Bushatin./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!