Rama dhe Veliaj inspektojnë punimet tek “Mihal Grameno” në Tiranë

schedule15:37 - 9 Shtator, 2019

schedule 15:37 - 9 Shtator, 2019

Rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare dhe shpërndarja e teksteve shkollore falas dërguan kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj tek “Mihal Grameno” në Tiranë. Sipas kryeministrit brenda dy vitesh, librat falas do t’i përfitojnë të gjithë nxënësit e shkollave nëntëvjeçare.

Dy ngjarje e çuan kryeministrin Edi Rama tek “Mihal Grameno” në Tiranë. Rikonstruksioni  i shkollës nëntëvjeçare. Shpërndarja e teksteve shkollore falas për nxënësit nga klasa e parë deri në klase të pestë. Brenda dy vitesh, thotë kryeministri, përfitues do të jenë të gjithë nxënësit në shkollat nëntëvjeçare.

“Këtë vit kemi shtuar klasën e pestë. Vitin tjetër do shtojmë të gjashtën dhe të shtatën, pastaj të tetën dhe të nëntën. Në fund, në sezonin 2021-2022 të gjithë librat nga klasa e parë te e nënta do jenë falas, por duhet t’i mbani mirë, se dëgjoj shumë që ankohen, thonë pse nuk kanë të drejtë t’i grisin, pse nuk kanë të drejtë t’i shkarravisin, pse nuk kanë të drejtë t’i humbin, pse nuk kanë të drejtë të bëjnë çfarë të duan, zyshat mund t’ua thonë, libri është shoku më i mirë. Të gjithë të tjerët shkojnë e vijnë libri mbetet”, tha Rama.

Sa i përket ndryshimit në infrastrukturën e shkollës nëntëvjeçare kryebashkiaku Erion Veliaj tregon se ka ende punë për t’u bërë.

“Tani duhet të bëjmë fushat e sportit mbrapa. Rëndësi ka që iku podrumi se ju ishit si anije, sipër mësim, poshtë ujë. Në pamundësi për t’i bërë të dyja, kemi bërë fillimisht shkollën, pastaj faza e dytë do të jenë të gjithë fushat sportive. ”

Shkolla 9-vjeçare “Mihal Grameno” ka rreth 1300 nxënës, të cilët mësojnë në 38 klasa mësimore si dhe 2 klasa parashkollore./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!