Rama-Berisha, debate në Kuvend për Teatrin e Universitetin

schedule11:52 - 15 Shkurt, 2018

schedule 11:52 - 15 Shkurt, 2018

Kryeministri Edi Rama ka replikuar me ish kryeministrin Berisha në Parlament lidhur me dy tema të nxehta të aktualitetit. Universiteti i Tiranës dhe Teatri Kombëtar sollën përplasjen Rama- Berisha ku kreu i ekzekutivit insiston në vendimin e tij duke i quajtur ankesat ato të një vendi jo normal. Për Sali Berishën, Teatri Kombëtar është vlerë e gjithë shqiptarëve.

Është shoqëruar me replika e debate seanca e sotme e Kuvendit në lidhje me teatrin dhe universitetin. Ka qenë Kryeministri Edi Rama, i cili nga foltorja e Kuvendit ka ritheksuar edhe njëherë se Teatri Kombëtar i ri do të ndërtohet dhe askush nuk mund ta ndalë. Ai ftoi opozitën që të shkojë në teatër, pasi sipas tij ka që pas vitit ’91 që nuk shkel në teatër. Por ish kryeministri Berisha në fjalën e tij e akuzoi kryeministrin se ka nisur një sulm frontal kundër elitës së kombit.

Rama: Në teatrin e ri do shkoni si spektatorë dhe do mësoni nga e para ç’është teatri sepse keni që në vitin ‘91 që nuk keni shkuar në teatër.
Jeni si ata aktorët që zihen për muret e teatrit, por që në të vërtetë nuk kanë rol.
Ne do ta ndërtojmë Teatrin Kombëtar, më në fund, dhe kjo është një mbledhje që ka filluar përpara 20 vjetësh. Kanë vdekur të gjithë ata që ishin në mbledhje, përveç Robert Ndrenikës. Pse?
Sepse askush nuk pati në mendje të ndërtonte teatro, muze.
Ky teatri që s’ka lidhje me teatrin që bëni ju këtu, nuk ka gjëma, nuk do të ndodhin gjëma. Qoftë rruga e re për teatrin dhe kulturën, qoftë reforma në arsim nuk do të ndalet prej jush.

Berisha: “Në këtë seancë qytetarët panë kreun që ka marrë nga pozitat e injorancës totale të dështimit të plotë, të zhulit të injorancës një sulm frontal kundër elitës së kombit. Kjo që zhvillohet sot në Shqipëri është një replikë e kohërave më të zeza të vendit, kur kriminelët morën pushtetin dhe iu përveshën me egërsinë më të madhe elitës kombëtare.
Ishte beteja me arsimin.
Siç dëshmon Piza në dy vlerësimet e saj ky sistem filloi ngjitjen pavarësisht se injorantët pas meje, Noriega e Nikolla nuk dinë as të lexojnë Pizën. Nuk kanë asgjë të përbashkët me arsmin, shkollën, inteligjencën, në një urrejtje patologjike atërore është vërsulur këto ditë kundër universiteteve. Ai e dini se me këtë ligj që mburret ka vendosur për fëmijët tuaj tarifat më të larta të kontintetit europian. Më të larta se në çdo vend tjetër, përjashtuar këtu Britaninë e Madhe. Me ligjin që bëri, paratë e taksave tuaja ua kalon universiteteve që ia sjellin me çanta eurot në zyrë. Ka 5 vite që ka ndaluar doktoraturat në universitete publike.
Pasi dështoi të emërojë rektorin me shullazët e tij shkoi dje dhe foli me gjuhën e Shullazit para trupës akademike, edhe Shullazi do ia kishte zili atë gjuhë, po pse sepse janë tenderat që duhet të bëjë universiteti dhe me Konin nuk bën dot pazare. Ky është i gjithë problemi dhe oburra të shkatërrojmë universitetin publik të Tiranës, se pse është universiteti me numrin më të madh të studentëve.
Të quash universitetin bishti i fundit i kavallit tregon gjuhën e një ordineri, mediat kazan, universiteti bisht kavalli, artistët s’dinë ’kërkojnë. Ky ka rrjedhur, ka luajtur e çmendur fare. U thotë artistëve nuk dinë ç’kërkojnë dhe nuk ka më keq./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!