Një ditë pasi kreu demokrat, Lulzim Basha, paralajmëroi djegien e mandateve për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, kryeministri Edi Rama i përgjigjet se as ka ndërmend të japë dorëheqjen dhe as të shpallë zgjedhje të parakohshme. Në një intervistë për “Corriere della Sera”, shefi i qeverisë tha se është opozita ajo që po kalon krizë.
Në intervistën e tij të parë pas protestës së të shtunës, kryeministri Edi Rama ka folur për “Corriere della Sera”.
Kreu i ekzekutivit dhe kryetari i Partisë Socialiste gjithsesi nuk mohon problemet e vendit. Korrupsioni për shembull ekziston. Ashtu si dhe vendimet e gjyqësorit për shkak të presioneve, zemërimin e të rinjve dhe trafikun e drogës. Por në intervistën e tij, ai thekson se qeveria që drejton po bën atë që askush para saj nuk pati kurajo të bënte për të eliminuar këto të këqija të shoqërisë.
“Që në Shqipëri ka korrupsion kjo as nuk diskutohet dhe është një problem por ne po bëjmë gjithçka që ta çrrënjosim”, vijon më tej Rama.
Pyetjes së gazetarit nëse po arrin ndonjë sukses në këtë fushë pas pesë vitesh e gjysmë në postin e kryeministrit, Rama përsërit se kjo është një betejë e gjatë dhe rezultatet nuk mund të vijnë menjëherë.
Për sa i përket sistemit të drejtësisë, Rama pretendon se po bën atë që askush në Ballkan dhe në Europë ka guxuar ta bëjë duke vijuar me një reformë që largon nga gjykatata gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar.
Edhe pse trafiku i drogës duhet pranuar si fenomen, kreu i ekzekutivit theksoi se në raportin e fundit, Guardia di Finanza pranoi se pala shqiptare po bën shumë progres në luftën ndaj tij.
Duke folur për protestën e studentëve, Rama e përshkruan si një manifestim të sinqertë, ku studentët kundërshtojnë probleme reale dhe për këtë arsye u dëgjuan dhe qeveria po u përgjigjet kritikave të tyre.
Ndërsa protesta e të shtunës kundër qeverisë së tij, sipas Ramës është një pasqyrim i qartë i krizës ku është futur opozita shqiptare, e cila nuk mund të sfidojë qeverinë politikisht. Sipas tij nëse do të votohej sot, opozita do të merrte dhe më pak vota se në 2017-n.
Rama nuk ka pranuar të komentojë akuzat e liderit të opozitës Basha suke thënë se shqetësimi i vetëm i tij është se politika që po ndjek opozita po hedh baltë mbi vendin dhe i uron rivalëve të tij që arsyeja të jetë më e fortë se dëshpërimi.
Për sa i përket kërkesës për dorëheqje nga ana e opozitës, Rama përgjigjet prerë.
“Nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen. Kam një mandat të qartë nga populli, kemi një mazhorancë të pastër në parlament dhe deri në fund kam një detyrim ndaj bashkëqytetarëve të mi. Nuk jam i detyruar të plotësoj kërkesët e minorancës parlamentare. I vetmi detyrim është kontrata me popullin shqiptar që na ka dhënë votën për të qeverisur”.
Në fund, gazetari e pyet nëse pas asaj që ndodhi të shtunën, sipërmarrësit italianë dhe të huaj duhet të fillojnë të shqetësohen.
Por Rama përfundon me faktin se e vetmja gjë që shkaktoi protesta e opozitës ishte një imazh I Shqipërisë me një dhunë absurde por me një rezultat zhgënjyes.
“E vetmja pasojë konkrete ishte shkatërrimi i një vepre arti, një kërpudhë, që kisha instaluar në oborrin e kryeministrisë”./abcnews.al