Kryeministri Rama përsëriti ftesën për dialog me studentët protestues. Gjatë një komunikimi live në Facebook, shefi i qeverisë bëri të qartë se vetëm duke diskutuar mund të zgjidhen problemet e universiteteve dhe kërkesat e studentëve. Rama deklaroi se është i gatshëm që buxheti i shtetit të subvencionojë 100% studimet për kategori të caktuara studentësh. Kryeministri u bëri thirrje protestuesve të mos lejojnë të përdoren nga opozita.
Ndryshe nga 4 vjet më parë, kur protestës së studentëve i dilte përballë. Në orën 11:00 të së hënës, teksa protesta vijonte në ditën e saj të 6-të, Kryeministri doli t’i tërheqë vëmendjen studentëve virtualisht.
“Nuk kam kërkuar negociata, por dialog. Protesta organizohet për t’u dëgjuar! Dhe qeveritë i dëgjojnë apo si dëgjonë, por kur qeveria ju thotë hajdeni të flasim, nuk kam dëgjuar rast në histori që të thonë: Jo nuk duam të flasim”.
Në atë që paralajmëroi të ishte dialog për Universitetin, por mori formën e një monologu që zgjati mbi 90 minuta, Kryeministri përgjigjet ia dha pyetjeve që zgjodhi vetë.
“Quhet autonomi universitare. Tarifat nuk i vendosim ne, qeveria vendos një tavan. Ato tarifa që u ngritën në 2014 janë vetëm për shkak të tavanit që ka vënë qeveria, ndryshe do kishin shkuar kacafiu. Ne jemi gati që të investojmë nga taksat për të mëbshtetur studentët në pagesëne tarifave”.
Disa propozime i dha aty për aty.
“Po pse t’ia ulim ne tarifën 50% studentëve me 9 e 10, ia heqim fare, ia paguajmë ne të gjitha. Pse mos t’ia heqim fare atyre që vijnë me ndihmë ekonomike. Po pse vetëm tarifat e shkollave, po të konvikteve? Do t’i shkarkojmë të gjithë përfaqësuesit e qeverisë në bordin e administrimit një nga të emëruarit e qeverisë do jetë një nga ju, ju vetëm sillni emrin, vendosni mekanizimin. Kam një propozim një mijë vende pune për studentët me 9 e 10 dhe është investim real, ëhstë te fakulteti i ndërtimit, shkon 56 milionë në total. Ne studentëve të shkëlqyer do t’i japim bursë, po si t’ia japim ne këtu ju atje”.
Pas leksionit mbi demokracinë.
“PD thotë se qëllimi i protestave Demokratike është të shtrohet një problem për zgjidhje me qeverinë e zgjedhur demokratikisht. Kjo është eksperienca”.
Dhe atij për jetën.
“Kjo nuk është çështje vlerash financiare por vlerash universitare”.
Kryeministri iu kthye strehës së preferuar, ironisë.
“Kur do bëhet vetingu? Ju nuk keni ngritur njëherë zërin kur ju kanë poshtëruar o merr librin tim, o nuk merr notën. Jo unë nuk bëj asgjë për ju, ose hajdeni t’i bëjmë bashkë ose rrini atje”.
Vetëm në tryezën e dialogut mund të gjehen zgjidhjet për problemet e studentëve, theksoi kryeministri Rama, jo duke bërtitur me megafon.
“Qofte tek daja qeveria nuk ka”. /abcnews.al