Në takimin e përjavshëm të bashkëqeverisjes, kryeministri Rama duke marrë shkas, nga një prej problemeve të zgjidhura përmes portalit të bashkëqeverisjes, njoftoi se ALUIZNI dhe Hipoteka, së shpejti do të shkrihen në një institucion të vetëm.
Si rrallë herë, takimi i përjavshëm i bashkëqeverisjes zgjati vetëm 30 minuta, gjatë të cilave qytetarët e ftuar si dëshmitarë të efikasitetit të portalit shqipëriaqëduam.al treguan historitë e tyre. Nuredin Cena thotë se mori azil politik në Suedi, pasi qeveria Berisha i refuzoi titullin e pronësisë, i refuzoi një takim me minsitrin e Drejtësisë dhe më pas, si thotë qytetari, e sulmoi.
“Në 2006-n kisha aplikuar për çështjen e shtëpisë. I tregova dhe ministrit të asaj kohe, ishte Enkelejd Alibeaj, më fal që po ia përmend emrin, por i kam me fakte i çova tre kërkesa. Kisha votuar për atë qeveri.Nga sulme më bëri qeveria e asaj kohe kërkova azil politik në Suedi. Ndenja 4 vjet. Edhe atje nuk m’u lejua nga ndërhyrjet politike derisa erdhi qeverisja socialiste dhe më thanë që duhet të kthehesh dhe thashë se nuk kthehem se kisha frikë se janë po ata njerëz të PD-së. Tani erdhi puna te platforma. Arrin kjo qeveri që s’kam votuar, arrit të marr tapinë”.
Në fund edhe disa konsiderata për shefin, atë të qeverisë, që përmes portalit shqipëriaqëduam i mposhti atij frikën e kthimit në atdhe.
“Falenderoj qeverinë e Edi Ramës për këtë punë që po bën. Ky ka kundër gjithë kriminelët, ka kundër prokurorët e shkarkuar, gjithë gjykatësit ama ka popullin e njerëzve të drejtë”.
Dy të reja njoftoi kryeministri gjatë takimit. E para i drejtohej studentëve dhe prindërve të tyre, atyre jo protestues.
“Do të çelet një rrugë qoftë tek platform shqipëriaqëduam që cdo studenta po prind që ka pyetje lidhur me vendimet e qeverisëtë mund t’i drejtohet platformës. Mjafton të shkojë te shqipëriaqeduam.al, aty do të shfaqet një rubrikë e posaçme “jam student kam një pyetje” dhe pyetja do të marrë përgjigje sepse një grup është organizuar të qëndrojë në kohë reale dhe të kthejë përgjigje. Edhe ministria e arsimit në Facebook do të ketë një dritare për t’u përgjigjur në kohë reale për gjithë pyetjet që shqetësojnë ende studentët”.
Shkrirja e dy institucioneve me tagër pronat e qytetarëve, ishte risia e radhës e njoftuar nga kreu i qeverisë.
“Së shpejti do të hyjë në fuqi ligji i ri dhe do të kemi bashkimin e ALUIZNI dhe Hipotekës në një institucion që do të merret eksluzivisht me çështjet e pronës”.
Në fund një leksion i shkurtër mbi lirinë dhe demokracinë.
“E bukura e lirisë dhe demokracisë është që sa më shumë të bësh aq më keq është. Në kuptimin që duhet dhe më shumë akoma sepse të gjithë duan më shumë me plot drejtë dhe prandaj ne do vazhdojmë më shumë që të jetë gjithmonë e më keq dhe që të jetë gjithmonë e më keq të bëjmë gjithmonë e më shumë”./abcnews.al