Rama: Akuzat ndaj Xhafës, baltë në prag të negociatave

schedule12:32 - 10 Maj, 2018

schedule 12:32 - 10 Maj, 2018

Në përgjigje të akuzave, Rama tha se kjo është një çështje e vjetër që opozita e rikthen vetëm për të baltosur e bllokuar procesin e pritshëm të hapjes së negociatave. Sipas Ramës nëse këto sulme do qëndronin dhe do ishin të vërteta, të parët do të kishin reaguar ambasadori i SHBA, Donald Lu dhe ambasadorja e BE Vlahutin. 

Gjithçka bën e thotë opozita nuk është gjë tjetër vec baltë në rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Bindjen kryeministri Edi Rama e shpreh në seancën paralmentare ku ridëgjoi akuzat e demokratëve për dënimin e vëllait të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

“Që Shqipëria, politika shqiptare të provojë çdo ditë, pretendimin e  argumentuar për të hapur negociatat, ne na vënë përpara një dosje që na e kanë vënë përpara shumë kohë më parë, për një fakt që ne e njohim, për një çështje që ne e kemi analizuar dhe e kemi ezauruar?

Si ka mundësi?

Pyetje e të huajve për mua, që të përgjigjem për këta që janë gjaku ynë.

Ka edhe një element tjetër në këtë orvatje që do shkojë duke u bërë edhe më e shfrenuar deri ditën kur do merret vendimi. Përgatituni të dëgjoni çudira mbi çudira e çudira pas çudirash, të thëna e të stërthëna, të ripaketuara, të riformatuara, të rizbuluara, për ta bërë baltë, baltë e baltë Shqipërinë, sa të munden”.

Kështu e vlerësoi kreu i qeverisë çështjen e njohur të dosjes së vëllait të Ministrit të kabinetit që drejton. Por i kujton opozitës se nëse do të kishte dicka të vërtetë në denoncimin e fundit, i pari që do t’i kalonte në vrimën e gjilpërës është Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Nëse në këtë zurrna do të kishte një grimcë të vërtete lidhur me përgjegjësi të çfarëdo natyre të ministrit tonë të Brendshëm, besoj se asnjë shqiptar nuk e quan të paarsyeshme bindjen time se përpara se të flisnin këta, do të kishte folur miku ynë, protagonist i jetës tonë publike, ambasadori amerikan, do kishte folur Bashkimi Europian, do kishin folur ata, të cilët nuk kanë lënë rast pa folur, pasi nuk kanë lënë rast pa verifikuar”.

Balta siç i quan ai akuzat e opozitës, jo vetëm kërkon të nxijë Shqipërinë në sytë e evropianëve, por edhe të pengojë reformën në drejtësi që vitin e ardhshëm do të jetë gjthëpërfshirëse tha Rama.

“Aq më pak sot që revolucioni në sistemin e drejtësisë ka filluar e nuk ndalet më. Aq më pak sot që të gjithë ata, të cilët ishin pushteti okult në këtë vend, që nuk i shkonte mendja njeriu ndonjëherë se mund të dilnin nga dyert e gjykatave dhe prokurorisë të përzënë.Lidhet me këta”.

Frika që ka Kryeministri Edi Rama nuk janë deputetët skeptikë sot në Parlamentin Evropian.

“E këtij kazanit këtu që quhet Parlamenti i Shqipërisë dhe që këta e kanë kthyer në një kazan, duke na futur dhe neve brenda dhe duke na bërë dhe neve që njerëzve t’ju dukemi sikur jemi të gjithë njësoj këtu”.

Dhe ky kazan nuk merr parasysh se vitin e ardhshëm numri I skeptikëve mund të rritet prandaj sot është koha që shqipëria të bëjë cmos për tu integruar në Bashkimin Evropian.

“Vitin e ardhshëm ka zgjedhje në të gjithë Europën për Parlamentin e ri Europian. Vitin e ardhshëm forcat antieuropiane, forcat populiste, forcat që janë shumë herë më rixhide për arsyet e tyre mund të shtohen në numër. Vitin e ardhshëm rikrijohen të gjitha institucionet e Bashkimit Europian.

Këta i dinë të gjitha”. 

Pavarësisht keqardhjes dhe turpit që i ngarkon opozitës me veprimet dhe mosveprimet e saj, për një gjë është i sigurtë kryeministri Rama.

“Unë kam besim që ne do t’ia dalim”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!