Kryeministri Edi Rama i ka vënë pikat mbi “i” qëndrimit të socialistëve për të çuar përpara Kodin Zgjedhor pa dakordësinë e opozitës jashtëparlamentare dhe pa pritur qëndrimin e Komisionit të Venecias. Nga foltorja e Kuvendit, Rama tha se ditën e djeshme ka marrë mesazhe nga 8 eurodeputetë që sipas tij kanë marrë letër nga Meta për Kodin Zgjedhor. Ai tha se ky votim sot, bëhet për të mirët e shqiptarëve, duke theksuar se zgjedhjet e 25 prillit nuk kanë kohë të presin. Opionionin e Komisionit të Venecias, ai deklaroi se do ta implementojnë, por pas zgjedhjeve.
“Meta kërkon të na fusë të gjithëve në një ferr,. Ne do t’i qëndrojmë detyrimeve tona jo vetëm në raport me Komisionin Europian. Se tani flet Ilir Meta në emër të Europës. As Berisha nuk e ka bërë këtë. Keni parë që presidenti të propagandojë pse nuk po ecën Shqipëria. Më shkruanin dje 8 eurodeputetë që jemi të tronditur që ne do rivotojmë sot një ligj që kemi votuar para dy javësh për të cilin BE është shprehur. Si mund të presim ne Venecian që vjen në Dhjetor kur ne jemi duke kaluar një ligj që e kemi kaluar para 2 javësh.
Pastaj thonë zoti kryeministër që ne shpresojmë të vësh interesat e Shqipërisë sot të parat. Shqipëria kalon këtë reformë falë këtij parlamenti dhe shkon në zgjedhje. Opinioni i Venecias kërkohet post factum. Tani kërkohet që të ndalen të gjitha dhe të presim. Venecia është e mirëseardhur dhe kur të vijë do hapim një diskutim nga e para por zgjedhjet e 25 prillit nuk presin më diskutime dhe këshilla politike. Po nuk e di se ku do i gjejmë mandatet se 100 i merr Monika, edhe 100+100+10 i merr Luli. Më vjen keq por nuk di si do trajtohet ndryshe kjo situatë. Ka vetëm një detyrim ndaj demokratëve. Ndaj atyre që kanë arsyet e tyre të mos votojnë për PS. Do shkoni në zgjedhje si te Vebiu dhe Sudja, jep një merr dy. Jepni votën për Lulin dhe do keni mbrapsht dhe dy të tjerë. Se aritmetika e Lulit është 1+1 bëjnë 3″, tha Rama.