TIRANË – 2200 ushtarë bazë dhe nënoficerë do të përfitojnë 20 000 lekë (të reja) nga Pakoja e Madhe e mbështetjes për përballimin e inflacionit të luftës që ka miratuar Qeveria këtë fundviti.
Kryeministri Edi Rama theksoi sot se, “20 000 lekë (të reja) nga Pakoja e Madhe do u shpërndahen ushtarëve bazë e nënoficerëve, të cilët paguhen më pak se sa të tjerët në Forcat e Armatosura dhe kështu do të ndihmojnë familjet e tyre me zerimin e impaktit të inflacionit të luftës në këtë periudhë të vështirë për të gjithë”.
Pakoja e Madhe shkon në mbështetje të 1 milion individëve me një kosto në buxhet prej 8 miliardë lekësh.
Ajo synon të lehtësojë ndjeshëm daljen e familjeve shqiptare nga ky dimër i ngarkuar, duke zeruar efektin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, po edhe për punonjësit e shtetit, duke dhënë më shumë për ata që fitojnë më pak, por pa lënë askënd pa mbështetje.