Rama: 100% ujë të pijshëm në 24 orë në 61 bashkitë e vendit brenda mandatit të tretë

schedule10:03 - 18 Mars, 2021

schedule 10:03 - 18 Mars, 2021

Kryeministri Edi Rama premton 24 orë ujë, 100% të pijshëm brenda mandatit të tretë qeverisës në zonat urbane të 61 bashkive të vendit. Duke folur në prezantimin e planit qeverisës për ujin dhe energjinë elektike, Rama u shpreh se në dhjetor të këtij viti do ketë 18 orë ujë në ditë. Rama tha se problemi më i madh është në Tiranë duke qenë se ka një dyndje të madhe qytetarësh. Ai deklaroi se në vitet pas diktaturës, Shqipëria u përball me një bombë demografike duke pasur një efekt paralel sipas tij edhe me “atë të verbërisë, dritëshkurtësisë dhe paaftësisë qeverisëse”.

“Ujë, ujë, ujë, drita, drita, drita ka qenë tash vite e vite një nga kërkesat bazë të popullit. Uji i pijshëm edhe në vitet e regjimit komunist nuk ishte i kudondodhur, ishte malli i shumëkërkuar ndaj të gjitha qeverive. Premtimi më i përsëritur ka qenë 24 orë ujë, 24 orë ujë, 24 orë ujë. E kemi premtuar dhe ne por ka një ndryshim mes nesh dhe të tjerëve, Ne themi atë që do bëjmë dhe punojmë fort pa pushim për të bërë atë që themi. Keni 67-vjet që nuk e keni bërë thotë sot gjithkush. Por nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë.

Dhe ky ka qenë një nga detet më të mëdhenj. Edhe më I madh se ai deti I tërbuar që na ndante nga e shkuara në sektorin e energjisë. E mbani mend çfarë vjedhje bëhej ditë natë. Për ujin gjetëm 23 strategji kombëtare për 23 vite nga 1990 deri në 2013 financuar nga lloj entesh dhe donatorësh që ishin tregues i një fakti drithërues.

Uji i pijshëm dhe çdo burim që rrjedh ujë në Shqipëri ishin në mëshirë të fatit. I gjithë sistemi i furnizimit ishte realisht në kolaps. E thashë në fillim që furnizimi me ujë të pijshëm nuk ishte problem i zgjidhur edhe më parë. Kur shkonim me pushime në shtëpinë e gjyshes në Vlorë e mbushnin ujin e pijshëm në një çezëm të përbashkët në rrugicën e lagjes në Skelë. Shqipëria u përball me një bombë demografike dhe njerëzit përfituan dhe u grumbulluan në qendrat e mëdha urbane duke rritur nevojën për ujë të pijshëm nga një sistem i vjetër dhe i ndërtuar për një numër shumë më të vogël konsumatorësh. Kjo sjell një efekt paralel me atë të verbërisë, dritëshkurtësisë dhe paaftësisë qeverisëse, efektin e sulmit mbi sistem.

Do ketë 24 orë ujë brenda këtij viti në territore që e kanë pasur lëngatë për disa vite. Mandati i tretë do sjellë 24 orë ujë në Tiranë, ku është problemi më i madh për shkak të dyndjes së madhe. Kur them Tiranë, 24 orë ujë brenda mandatit të tretë, përfshirë Kamzën dhe Vorën. E njëjta gjë do ndodhë me Durrësin, Elbasanin, Shkodrën dhe Vlorë. Ne do të garantojmë 100% ujë të pijshëm brenda 61 bashkive të vendit. Në dhjetor të këtij vitit do të kemi 18 orë ujë në ditë dhe në mbyllje të mandatit të tretë 24 orë ujë në ditë. “, tha Rama./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!