Sondazh

 

Raketa balistike nga Ukrainës/ Rusia godet disa qytete, 4 viktima dhe 36 te plagosur

schedule18:20 - 19 Korrik, 2026

schedule 18:20 - 19 Korrik, 2026

Rusia ka kryer një valë sulmesh me raketa balistike ndaj disa qyteteve ukrainase, duke shkaktuar të paktën katër viktima dhe 36 persona të plagosur, sipas autoriteteve ukrainase.

Tre persona humbën jetën dhe 20 të tjerë u plagosën në qytetin lindor të Kharkivit, ndërsa në kryeqytetin Kiev u raportua për një viktimë dhe 16 të plagosur.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi sulmin ndaj Kievit si “një nga sulmet më masive me raketa balistike” ndaj kryeqytetit që prej nisjes së pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022.



Forcat ukrainase deklaruan se mbrojtja ajrore në Kiev rrëzoi 18 nga 41 raketa të lëshuara gjatë natës, ndërsa sistemet kundërajrore kapën edhe 108 dronë rusë.

Në rajonin e Kievit u goditën disa zona, ndërsa kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se sulmet dëmtuan ndërtesa banimi dhe objekte të tjera, përfshirë një supermarket dhe një konvikt.

Në Kharkiv, guvernatori rajonal Oleh Syniehubov tha se një terminal postar në periferi të qytetit u godit nga sulmi. Tre burra, të moshës 24 deri në 62 vjeç, u vranë, ndërsa tre nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë.

Zelensky tha se gjatë javës së fundit Rusia ka përdorur ndaj Ukrainës rreth 1 450 dronë sulmues, më shumë se 1 640 bomba të drejtuara dhe 99 raketa të llojeve të ndryshme.  Ukraina ka intensifikuar kohët e fundit sulmet me dronë me rreze të gjatë ndaj infrastrukturës energjetike ruse, veçanërisht rafinerive të naftës. Autoritetet ukrainase kanë pretenduar se rreth 43% e kapacitetit të rafinimit të naftës në Rusi është dëmtuar, një shifër që nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

Moska, nga ana tjetër, ka shtuar sulmet ndaj qyteteve ukrainase, duke bërë që Kievi të kërkojë nga aleatët evropianë furnizime të reja me sisteme për interceptimin e raketave balistike. “Mbrojtja kundër raketave balistike është prioriteti ynë kryesor dhe i vazhdueshëm tani. Interceptorët nevojiten çdo ditë”, deklaroi Zelensky.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!