Rafael Nadal kalon kroatin Çiliç

schedule17:59 - 3 Shtator, 2019

schedule 17:59 - 3 Shtator, 2019

Rafael Nadal shpreson të ndeshet për herë të parë në karrierë me Roger Federerin, në Grand Slam-in e Nju Jorkut. Spanjolli kaloi kroatin Çiliç në katër sete.

Një pretendent për titull vazhdon, ndërsa një kampione largohet. US Open është një turne tenisi tepër kërkues, me Rafael Nadalin që e kaloi provën me sukses, edhe pse me nerva, dhe me Naomi Osakën, që nuk e përballoi dot presionin.

Ylli spanjoll, numri 2 i botës, mbërriti në çerekfinalet e Grand Slam-it të Nju Jorkut pas fitores 3-1 ndaj kroatit Marin Çiliç. Forma e 33-vjeçarit ishte sërish e shkëlqyer, edhe pse humbi një set, por kjo ndodhi më shumë për faj të tij, pasi u nervozua kur u ndëshkua për shkelje të afatit kohor në shërbim, por më pas e mblodhi veten.

Suksesi ishte 6-3, 3-6, 6-1 e 6-2. Tashmë, Nadal është një hap më prapë një dueli të madh me Roger Federerin, gjë që mund të ndodhë nëse të dy arrijnë finalen. Kurrë më parë, dy tenistët më të shquar të historisë nuk janë ndeshur në US Open, diçka e veçantë pasi ata kanë 15 vjet rivalitet dhe kanë luajtur 40 ndeshje së bashku.

Tek femrat, kampionia në fuqi, Naomi Osaka, nuk e la vetëm Novak Gjokoviçin. Ata u larguan shpejt e shpejt pas njëri-tjetrit. Menjëherë pas eliminimit të Djokoviçit, US Openi humbi edhe Osakën.

Amerikania u mposht në të tetat e finaleve nga zvicerania Belinda Bençiç, duke i humbur të dy setet. Njëzetedyvjeçarja me origjinë nga Sllovakia i mori setet 7-5 e 6-4, pra pas një dueli të fortë, duke dëshpëruar publikun vendas në Nju Jork.

Ashtu si Djokoviçi, edhe Osaka pati problem me dëmtimin, jo në shpatull si kampioni serb, por në gju. Po ashtu si Nole, edhe ajo rrezikon të humbasë numrin 1 të renditjes tek femrat në përfundim të US Openit.

Naomi u bë e shquar vitin e kaluar kur fitoi titullin në Flashing Midous me finalen e shkëlqyer ndaj Serena Uilliamsit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!