Radhë të gjata në Muriqan

schedule15:18 - 14 Korrik, 2019

schedule 15:18 - 14 Korrik, 2019

Shumë të huaj, kosovarë e shqiptarë u janë dashur orë për të kaluar pikën e kalimit kufitar të Muriqanit. Ata thonë se pritje të tilla nuk kanë parë në dogana të vendeve të Evropës. Por megjithatë në Muriqan punohet me kapacatitet të plotë dhe radhët krijohen nga fluksi.

Për të hyrë në Shqipëri nga Muriqani në kufi me Malin e Zi, do duhen më tepër se dy orë. Radhë kilometrike të automjeteve dhe pritje e gjatë. Ishte kjo panorama në fundjavë.

“Jemi nga Serbia dhe po udhëtojmë nga Budva drejtë Kosovës, kemi një orë që presim. Shumë stresuese”.

“Gjatë gjithë kohës udhëtojmë nëpër vendet e BE-së dhe asnjëherë nuk kemi pritur. Në këtë pikë kemi rreth një orë, është e pa zakontë për ne. Do qëndrojmë rreth një javë në Shqipëri kemi udhëtuar nga Austria”.

Ka nga ata që pavarësisht vështirësive në doganën midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, rikthehen për plazhet dhe pikat arkeologjike.

“Është hera e dytë që vijmë në Shqipëri. Unë jam arkitekte. Pastaj do udhëtojmë drejt Greqisë dhe do kthehemi në Venecia”.

Fluksi është shumë i lartë dhe po punohet me kapacitet të plotë.  Gjatë katër ditëve të fundit në këtë pikë doganore janë regjistruar në hyrje dhe në dalje afro 41 mijë persona.

Pika e përbashkët e kalimit kufitar Muriqan-Sukobinë vazhdon të funksionojë me dy pika kontrolli si nga pala shqiptare ashtu edhe nga pala malazeze, ndërsa e përbashkët është vetëm godina.

Sipas statistikave të vitit të kaluar vetëm në muajt Korrik dhe Gusht u regjistruan rreth 600 mijë shtetas që hynë në vendin tonë. E ndërtuar me fondet e Bashkimit Europian e planifikuar të përballoj një fluks prej 500.000 shtetasve në vit, sot duket sikur ka nevojë për zgjerim dhe ndërhyrje./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!