Racizmi, ëndrra Champions dhe çelësi i suksesit: Egbo rrëfehet në Afrikë

schedule10:18 - 8 Gusht, 2020

schedule 10:18 - 8 Gusht, 2020

Emmanuel Egbo dha një kontribut të vyer te Tirana, që u rikthye te titulli kampion dhe tani po bëhet gati për të marrë pjesë në ndeshjet kualifikuese të Champions League. Suksesi i tij ka tërhequr vëmendjen sërish në Nigeri dhe tekniku ka dhënë një tjetër intervistë, që është botuar në “Punchng”.

“Jam i kënaqur që ndihmova klubin tim të arrijë titullin kampion pas 11 vitesh. Për një klub që është mësuar të fitojë tituj dhe kupa çdo vit, të presësh 11 vite është një ndjenjë e pabesueshme. Të qenurit i pari afrikan që e bën këtë, është një ndjenjë e mrekullueshme”, shprehet Egbo fillimisht, ndërkohë që ëndërron edhe më shumë.

“Po shohim përpara dhe kërkojmë të tregojmë se ajo që bëmë në kampionat nuk ishte thjesht një flakë kashte apo diçka që e arritëm rastësisht. Besoj se kemi një shans të mirë për të kaluar në fazën e grupeve në Champions League ose në Europa League. Thjesht duhet të japim më të mirën dhe të besojmë te vetja. Nëse ndodh kjo, sigurisht që është e mundur. E pamundur nuk është asgjë”, shton nigeriani.

 

Egbo mendon se përshtatja me mentalitetin e vendit tonë është çelësi i suksesit: “Nuk ishte një rrugë e lehtë për mua, por duhet të rezistosh dhe të punosh shumë, duke besuar te vetja që mund ta bësh diçka dhe me siguri që mundesh.

Duhet të njihni dhe të kuptoni mentalitetin dhe kulturën e vendit ku jetoni dhe punoni, të mësoni të flisni gjuhën e tyre, të përziheni me ta dhe të pranoheni si një prej tyre. Kjo ma lehtësoi pak rrugën drejt suksesit. Mësova nga gabimet e trajnerëve të tjerë dhe mora pak nga metodologjia e punës së tyre, për të krijuar edhe filozofinë time të stërvitjes”.

LEXO EDHE: Himni shqiptar, Egbo e këndon bashkë me gazetaren e ABC News (VIDEO)

I pyetur në lidhje me futbollin shqiptar, Egbo ka shtuar: “Futbolli shqiptar po zhvillohet dhe është rritur në çdo aspekt: në infrastrukturë, në cilësinë e stërvitjeve etj. Ata kanë përshtatur stilin italian të të luajturit, me theks te taktika dhe forca fizike. Kjo sepse shkolla e trajningut në Shqipëri ka partneritet me atë në Itali, që ka prodhuar emra si Mancini, Conte e të tjerë”.

RACIZMI – Ka një perceptim që lojtarët afrikanë janë vetëm për të vrapuar dhe kohët e fundit tema e racizmit është diskutuar në çdo rrafsh, madje  në SHBA dhe shumë vende të Europës pati protesta pas vrasjes së George Floyde. Egbo është ngacmuar mbi këtë temë të ndjeshme, duke i kujtuar deklaratën e një legjende të Manchester United.

 

“Dwight Yorke tha se të bardhët favorizohen në stërvitje? E dëgjova intervistën e tij dhe unë u nxita. Nuk mund të presim që të na e hedhin punën ne. Duhet të punojmë fort dhe të kalojmë radhët për të marrë një shans të vogël dhe ta shfrytëzojmë në maksimum për të treguar veten. Nuk do të na jepet një shans i dytë nëse dështojmë.

Racizmi është një çështje që duhet të trajtohet me kujdes ose do të përdoret në mënyrën e gabuar. Ka prej 400 vitesh dhe do të vazhdojë të ketë, na pëlqen ose jo. Thjesht duhet të zhvillojmë një forcë mendore për ta kapërcyer atë. Shpesh afrikanët janë akuzuar se luanin kartën e racizmit për t’u parë si viktima, por ne nuk duhet ta lëmë të na hedhë poshtë.

Madje duhet të na shërbejë si faktor motivues për të na shtyrë të punojmë më shumë dhe t’ua dëshmojmë atyre që na trajnojnë ashtu se nuk mund të na thyejnë pavarësisht gjithçkaje. Kjo është ajo që kam qenë në gjendje të bëj, që edhe mes vështirësive dhe njerëzve që nuk e duan suksesin tënd e nuk të japin meritat, të mund të qëndroj në këmbë dhe t’u provoj që janë gabim”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!