Qytetet europiane mund të reduktojnë emetimet e transportit urban deri në 90% deri në vitin 2030, sipas një raporti nga Clean Cities, kompania europiane e transportit dhe mjedisit.
Për të arritur këtë do të duhet të ketë veprim të shpejtë të qëndrueshëm si dhe vullnet politik për të promovuar çiklizmin dhe transportin publik ndër të tjera.
Studimi, i quajtur ‘Mission Zero’, shqyrtoi masat në fuqi në pesë qytete të mëdha europiane (Bruksel, Varshavë, Milano, Madrid dhe Mançester) për të arritur në përfundimin se planifikuesit e qytetit tashmë kanë të gjitha mjetet që u nevojiten për të reduktuar ndjeshëm emetimet nga transporti.
Studimi modelon skenarë të ndryshëm, si prioritizimi i transportit publik dhe elektrifikimi.
Në skenarin përfundimtar thuhet se bashkitë dhe të gjitha organet përkatëse duhet të procedojnë sa më shpejt në zbatimin e zonave me emetim të ulët ose zero, ndërsa flota e makinave të shndërrohet në ato tërësisht elektrike.
Kombinimi i elektrifikimit dhe përdorimit të reduktuar të makinave, me përmirësimin e të gjitha formave të qëndrueshme të transportit (çiklist, transport publik) jo vetëm që mund të reduktojë emetimet me 90% deri në vitin 2030, por mund të reduktojë përdorimin e përgjithshëm të energjisë në të gjithë transportin urban.
Duke marrë parasysh ndikimin pozitiv që do të ketë si në konsumin e energjisë ashtu edhe në reduktimin e emetimeve (me të gjitha përfitimet që ky reduktim ka në jetën e përditshme ) ka të ngjarë që qytetet në të gjithë Europën të fillojnë t’i zbatojnë këto masa me disiplinë absolute dhe me synimin për të përmirësuar ndjeshëm lëvizshmërinë e qëndrueshme në qendrat urbane.
/abcnews.al