Kryeqyteti është akoma pa transport publik. Kreu i Shoqatës së Transportit Urban, Rixhin Qoshja në një intervistë për Abc News është shprehur se në kuadër të protokollit të sigurisë që ka dalë e kanë të pamundur daljen në punë.
Sipas tij disa nga ato që kanë dalë në punë nuk e kanë lexuar protokollin e sigurisë, por pas daljes në punë duket se dhe pak ato operatorë transporti që kanë dalë në punë një ditë më parë kanë menduar sërish bllokimin për shkak të mungesës së pasagjerëve.
Ndër të tjera ai ka theksuar se kostot financiare për mirëmbajtjen e automjeteve, rrogat e punonjësve dhe puna në mënyrë të reduktuar e bën të pamundur rinisjen e punës.
“Qytetarë që duan të udhëtojnë ka patjetër, dhe të gjithë mezi presim që të rifillojmë punën por çështja është se kushtet nuk po na e mundësojnë një gjë të tillë. Kompanitë nuk janë të afta financiarisht për të nisur punën, dhe ato që kanë filluar një ditë më parë po eksperimentojnë për të parë nëse do të mund ta vijojnë apo jo. Tirana ka dhe volumin më të madh të lëvizjeve, por me vendimin e fundit të qeverisë, volumi në autobus reduktohet me 75 %, por një gjë e tillë na pengon financiarisht dhe për këtë ne nuk mund të rifillojmë. Ministria e Infrastrukturës dhe Bashkitë janë përgjegjëse që vendosin për rifillimin e punës, por duhet të japin një përgjigje për ankesa tona ndryshe ne s’kemi si të fillojmë punën.Pushteti qendror dhe vendor duhet ti përshtaten realitetit të ri dhe të ndihmojnë financiarisht”, ka thënë Qoshja./abcnews.al