Qytetarët dhe bizneset vijojnë të mbjellin pemë për Tiranën. Ndërkohë kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, shprehet se bashkia do ta thyejë rekordin e mbjelljeve të vitit të shkuar.
Parkut të Liqenit Artificial në Tiranë po i shtohen pemët çdo ditë. Qytetarë dhe biznese i janë përgjigjur thirrjes së bashkisë për t’i dhënë më shumë gjelbërim qytetit. Kryebashkiaku Erion Veliaj vlerësoi angazhimin e tyre, ndërsa tregoi synimin për këtë sezon.
“Jemi në gjysmë të planit tonë për këtë vit, kemi edhe një muaj e gjysmë për të thyer prapë rekordin. Dua të ftoj të gjithë të mbjellim pemë për 14 marsin, Ditën e Verës, të mbjellim një pemë për fëmijët që do jetë këtu gjithë jetën. Kush mbjell një pemë, jo vetëm që nuk këput pemë, por nuk ofendon, nuk flet me zë të lartë, nuk hedh mbeturina në tokë dhe unë besoj se më shumë se mbjellje fidanësh e pemësh, është më shumë mbjellje e një kulture dhe një mentaliteti të ri në këtë hapësirën ku mbillen idetë tona, që është kultura jonë qytetare”, tha Veliaj.
Ndërkohë Veliaj ftoi qytetarët të shfrytëzojnë festat apo ditët e shënuara për to e të angazhohen për një qytet më të mirë duke shtuar hapësirat e gjelbërta./abcnews.al