Në vazhdën e bashkëpunimit mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe akademisë “Dyrrah City Football Academy” në “Shtëpinë e Futbollit” dhe në stadiumin “Air Albania” janë zhvilluar disa aktivitete të tjera.
Pasditen e djeshme në “Shtëpinë e Futbollit” fëmijët e përfaqësueseve rajonale të Tiranës dhe Durrësit të grupmoshës U-13 dhe U-14 u stërvitën nën urdhrat e trajnerëve të akademisë së Manchester City, Gavin Rhodes dhe Andy Smith.
Një moment i veçantë për fëmijët e përfaqësueseve rajonale të Tiranës dhe Durrësit, që patën mundësinë të merrnin mësime prej dy trajnerëve të akademisë së kampionëve në fuqi të anglisë.
Po sot, fëmijët e përfaqësueseve rajonale të Tiranës dhe Durrësit të grupmoshës U-13 dhe U-14 zhvilluan një ndeshje së bashku në stadiumin “Air Albania”, ku u vëzhguan sërish nga dy trajnerët e akademisë së Manchester City, Gavin Rhodes dhe Andy Smith.
Edhe në vazhdim bashkëpunimi i FSHF-së me akademinë “Dyrrah City Football Academy” dhe jo vetëm, do të jetë i ngushtë për të krijuar mundësi sa më të mira për të gjithë fëmijët që luajnë futboll, një prioritet i FSHF-së për ta zhvilluar dhe mbështetur sa më shumë futbollin e fëmijëve. /FSHF