Për shkak të motit të keq që ka pushtuar vendin tonë në të dytën ditë radhazi, ka pasur probleme të shumta në shumë qarqe të vendit, rrugë, toka bujqësore nën ujë, banesa të përmbytura dhe familje të evakuuara.
Për shkak të rrëshqitjeve të dheut është bllokuar përkohësisht aksi rrugor Qukës-Qafë Plloçë. Duke u ndalur gjerësisht te kjo problematike, analisti Arben Meçe tha për emisionin “Real Story” në ABC News se problemi qëndron që te projektimi i rrugës në vitin 2009, ku sipas tij SPAK duhet të nisë një hetim.
Meçe thotë se rruga do të jetë jashtë funksionit për shkak të faktorëve gjeologjikë të papërshtatshëm dhe Berisha, sipas tij, duhet të mbajë përgjegjësi pasi u vendos në shërbim të interesave greke për të sabotuar Korridorin 8.
“Qoftë në planin gjeostrategjik dhe të interesave kombëtare, qoftë edhe në mënyrën e projektimin ajo rrugë quhet sabotazh në sistemin rrugor në Republikën e Shqipërisë. Në mënyrë më të posaçme, problemi më serioz i saj është mos marrja fare në konsideratë e informacioneve gjeologjike në të cilat ajo është zhvilluar. Nuk po them në gjeometrinë e trupit dhe në gjeometrinë e aksit të lëvizjes. Është ndërtuar në formacione gjeologjike, që kanë për ta nxjerrë ashtë funksionit atë rrugë.
Që në momentin që është nisur projektimi, unë kam thënë që SPAK duhet të fillojë një hetim që në gjenezë, që në vitin 2009 se kush janë projektuesit e asaj rrugës dhe cili ishte synimi final i asaj rruge. 300 milionë euro janë hedhur në kosh në atë rrugë. Në një kohë shumë të shkurtër do të shohim shkarje masive. Aksi Qukës -Qafë Plloçë është rasti më i pastër dhe më ideal ku Sali Berisha vendoset në shërbim të interesave greke për të sabotuar Korridorin 8”, tha Meçe./abcnews.al


