Qorri: Studentët tronditën sistemin politik pa gjuajtur me gurë

schedule21:31 - 11 Janar, 2019

schedule 21:31 - 11 Janar, 2019

Edhe pse të paktë në numër studentët vijojnë të protestojnë. Ata janë të grumbulluar në grupe dhe kanë zgjedhur një formë tjetër reagimi. Studentët tashmë po protestojnë në brendësi të ambienteve të universiteteve publike duke bojkotuar edhe mësimin.

I ftuar në emisionin “Provokacija”, aktivisti i Lëvizjes për Universitetin, Arlind Qorri, është shprehur se studentët kanë protestuar paqësisht dhe kanë tronditur sistemin politik.

“Shoqëria do t’i ndjekë me simpati sikundër i ka ndjekur deri më tani. Unë e kam thënë edhe diku tjetër dhe shikoni sa empacipuese është edhe në rang historik botëror kjo protestë në Shqipëri. Studentët kanë tronditur sistemim politik pa gjuajtur një herë më gurë. Nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës që të trondisësh jo vetëm sistemin universitar por edhe sistemin politik. Ata kanë goditur jo vetëm qeverinë por edhe opozitën, edhe ajo ka mbetur pa fjalë. Nuk është gjuajtur asnjëherë me gurë. Në cilin vend të botës ndodh kjo? Ne nuk po e besjomë as vetë këtë që po ndodh.  Shumica dërmuese e studentëve po proteston në mënyrë pasive, praktikisht refuzojnë të vijnë në universitete. Shumica e studentëve janë nga jashtë Tiranës dhe shumica prej tyre janë duke protestuar nëpër shtëpi”.

Aktivisti u shpreh se kjo protestë ishte shembulli më i mirë. Sipas tij studentët nuk janë dorëzuar dhe mund të dalin sërish në shesh.

“Patjetër që protesta ka uljet dhe ngritjet e veta. Në Dhjetor ajo ka pasur kulmin e vet. Tani ne kemi hyrë në një fazë të dytë të protestës. Kjo është një fazë më pak masive dhe për pasojë është hequr dorë edhe nga protesta nëpër sheshe. Mirëpo gjithsesi është më intensive. Është më intensive pasi kemi një formë të re të rezistencës. Unë jam dakord me këtë lloj proteste. Sigurisht nuk jam unë që e vendos por të qenurit brenda fakulteteve dhe bojkotimi i mësimit mendoj se është zgjedhja e duhur. Kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë protesta. Protesta mund të ketë shumë shpejt, mirëpo çelësi i protestës është masiviteti. Askush nuk mund ta thotë me siguri se kur mund të nisin protestat sepse nuk ka një lider që e përcakton”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!